Irani dhe Zelanda e Re kanë dhuruar një përballje emocionuese në Kupën e Botës, duke barazuar 2-2 në stadiumin e Los Angeles. Një ndeshje e zhvilluar në një atmosferë të tensionuar, ku përveç duelit sportiv pati edhe zhvillime jashtë fushës.
Protestat kundër qeverisë së Teheranit dhe diskutimet rreth një marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund konfliktit SHBA-Iran krijuan një sfond të veçantë për këtë sfidë. Siguria e shtuar dhe protestat jashtë stadiumit ishin ndër temat kryesore para fillimit të takimit.
Në fushë, Zelanda e Re e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kaloi në avantazh shumë shpejt. Elijah Just realizoi një goditje të fuqishme nga brenda zonës pas asistimit të Chris Wood, duke i dhënë “të bardhëve” epërsinë. Pavarësisht atmosferës së ndarë në tribuna, shumica e tifozëve prej më shumë se 70 mijë personash mbështetën fuqishëm Iranin, duke krijuar një zhurmë të madhe me thirrjet “Iran! Iran!”.
Mbështetja u shpërblye kur Ramin Rezaeian barazoi rezultatin pak pas gjysmë ore lojë. Mbrojtësi iranian reagoi shpejt pas një topi të kthyer dhe mposhti portierin e Zelandës së Re.
Në pjesën e dytë, Zelanda e Re riktheu avantazhin. Chris Wood dhe Elijah Just kombinuan përsëri, me kapitenin që dha asistimin dhe sulmuesin që shënoi golin e dytë për “All Whites”.
Irani tregoi karakter dhe nuk u dorëzua. Vetëm dhjetë minuta më vonë, Mohammad Mohebbi shënoi me kokë pas një krosi perfekt të Rezaeian, duke vendosur rezultatin përfundimtar 2-2.
Barazimi i la të dyja skuadrat me nga një pikë pas ndeshjes së parë. Irani do të rikthehet në Los Angeles për t’u përballur me Belgjikën të dielën me synimin për të kaluar për herë të parë fazën e grupeve në historinë e saj në Kupën e Botës, ndërsa Zelanda e Re do të luajë ndaj Egjiptit në Vancouver.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
