7 tetor 2026 – Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Gëzim Zilja, në lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Opinion”, Tv Klan, ka kundërshtuar projektin e muzeut hebre në Vlorë, duke ngritur shqetësime për ndërhyrjet në zonën historike të qytetit dhe ndikimin e godinës së re në pamjen e saj.

Zilja u shpreh se kundërshtimi i tij lidhet kryesisht me projektin arkitektonik dhe ndërhyrjen në hapësirën historike të Vlorës.

“Desha të sqaroja problemin e atyre dy përbindëshave që zhdukin nga pamja atë godinën e vogël, që ka një histori të madhe mbrapa tyre. Kjo është arsyeja kryesore që ne jemi ngritur. E dyta është kjo që dua të them: Nuk lejohet në qendra historike, sidomos të një rëndësie të veçantë, të ngresh muze të tilla. Ata le të bëjnë muze hebraik kur të duan, por po të më pyesësh mua, tepërt është. Problemi është ky, ne i kemi ndarë punët”, tha ai.

Zilja theksoi më tej se shqetësimi i tij lidhet me ruajtjen e hapësirës historike të qytetit dhe mënyrën se si projekti i ri do të ndërhyjë në këtë zonë.

“Ne duam që i vetmi shesh historik i gjallë që ka ngelur në Vlorë mos të cenohet. Si mund të bësh ti muzeun tënd me gjashtë kate, me pasqyra, e më zë frymën mua e historisë time?”, tha ai.

/tvklan.al