Një grup ish-punonjësish federalë në SHBA, të cilët dhanë dorëheqjen nga administrata e presidentit Donald Trump për shkak të politikave të tij, po kandidojnë tani për Kongres si demokratë. Ndër ta është edhe Megan O’Rourke, ish-shkencëtare e lartë për klimën në Departamentin e Bujqësisë, e cila vendosi të largohej pasi administrata Trump filloi të godiste programet e financimit lidhur me ndryshimet klimatike.
“Një vit më parë po planifikonim pensionin, por këtë pranverë vendosa: ‘Po sikur ta përmbys jetën dhe të jap dorëheqjen?’”, tha O’Rourke, 46 vjeçe, që tani kandidon në distriktin e 7-të të New Jersey, një nga garat më konkurruese të Dhomës së Përfaqësuesve për zgjedhjet e vitit 2026.
Siç shkruan Reuters, përveç O’Rourke, më shumë se gjashtë ish-punonjës nga departamente si Drejtësia, Çështjet e Veteranëve, Shteti dhe Bujqësia, të cilët u larguan ose u pushuan nga puna pas ndërhyrjeve të Trumpit, po kandidojnë gjithashtu. Ata vendosin përvojën e tyre të shërbimit publik dhe përballimin e politikave të administratës Trump në qendër të fushatave të tyre.
Demokratët kanë nevojë të fitojnë tre vende republikane për të siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, gjë që do t’u mundësonte të bllokonin pjesë të axhendës së Trumpit dhe të hetonin administratën e tij.
Disa nga kandidatët më të njohur përfshijnë Ryan Crosswell, ish-prokuror, i cili dha dorëheqjen pas vendimit të diskutueshëm për heqjen e akuzave për korrupsion ndaj kryebashkiakut të New York-ut, John Sullivan, ish-agjent i FBI-së, i cili protestoi ndaj politizimit të byrosë, dhe Zach Dembo, ish-prokuror federal, i cili la detyrën për shkak të frikës se mund të detyrohej të shkelte betimin për të mbrojtur ligjin.
Edhe ish-punonjës si Bayly Winder, i cili ka punuar në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), po përdor statusin e tij si ish-federal për të treguar dëmin që sipas tij ka shkaktuar politika e Trumpit.
Megjithatë, asnjëri nga këta kandidatë nuk është favorit i sigurt. Ata duhet fillimisht të fitojnë nominimin nga partia dhe më pas të përballen me kandidatët republikanë në distrikte të ndryshme, disa prej të cilave historikisht janë të vështira për demokratët.
Kandidatët e rinj theksojnë përvojën e tyre në shërbimin publik si avantazh në fushatë. “Nuk kam qenë kurrë më parë në politikë, por kam qenë në shërbim publik,” tha Winder gjatë një ndalese të fushatës së tij.
Shumë prej këtyre ish-punonjësve federalë theksojnë se largimi nga administrata Trump ishte i domosdoshëm për të mos u bërë pjesë e veprimeve që shkelin normat tradicionale politike dhe parimet morale. Të gjithë shpresojnë se përvoja e tyre do t’u japë votuesve një arsye për t’i besuar në garën për Kongres, duke i parë ata si zëra të ndershëm kundër administratës Trump.
/tvklan.al












Botërori 2026 
