Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe një nga figurat kryesore të UÇK-së, Jakup Krasniqi është kthyer këtë të mërkurë në Kosovë.
Këto janë momentet kur nën shoqërinë e forcave të EULEKS, ai mbërrin në shtëpinë e tij në Prishtinë, teksa në pragun e derës e presin familjarët të cilët e përqafojnë me radhë.
Mes tyre ishte edhe një prej mbesave të tija të vogla, të cilën me siguri, për shkak të viteve të izolimit në burg, e shihte për herë të parë.
Pas shoqërimit në shtëpi forcat e EULEKS u larguan, ndërsa sigurimin e shtëpisë së Krasniqit e mori në dorë policia e Kosovës.
Vet Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar se ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka udhëtuar drejt vendlindjes për arsye humanitare, ndërsa mediat në Kosovë bëjnë të ditur se shkak është bërë gjendja shëndetësore e bashkëshortes së tij.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues i ka udhëzuar Sekretariatin të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Jakup Krasniqin”, bëri të ditur gjykata speciale në Hagë.
Krasniqit i janë dhënë vetëm 6 orë leje dhe mësohet se në orën 17:00 ai duhet të niset sërish drejt burgut në Hagë, ku qëndron prej 4 nëntorit 2020.
Pak muaj më parë ai u dënua nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale në Hagë me 25 vite, ndërsa tashmë, sëbashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, është në pritje të shqyrtimit të çështjes në Apel.
/tvklan.al












Botërori 2026 