Në Seul, në zemër të kryeqytetit të Koresë së Jugut, protestat janë kthyer në një arenë simbolike të tensioneve globale midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

“Jo Trump” brohorisnin me dhjetëra qytetarë para ambasadës amerikane, ndërsa disa qindra metra më tej, një tjetër grup demonstruesish mbante pankarta me mbishkrimin “Jo Kina”, raporton BBC. Dy tubime të vogla në numër, por me domethënie të madhe politike.

Këto protesta pasqyrojnë situatën e ndërlikuar në të cilën ndodhet presidenti i ri i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, i cili këtë javë pret në Seul si Donald Trump, ashtu edhe Xi Jinping, për bisedime të nivelit të lartë, një takim që mund të përcaktojë ekuilibrin e ardhshëm të fuqisë në Azi.

Një aleancë e vjetër

Koreja e Jugut është tradicionalisht një aleate e ngushtë e SHBA-ve, që daton nga Lufta e Koresë (1950–1953). Megjithatë, Kina ka kohë që është partneri më i madh tregtar i vendit. Prandaj, për Seulin, çdo vendim i marrë në këtë situatë ka pasoja të drejtpërdrejta si në siguri, ashtu edhe në ekonomi.

“Koreja e Jugut është mes çekanit dhe kudhrës”, shpjegon Darcie Draudt-Vejares nga Carnegie Endowment for International Peace për BBC.

“Shumë vende ndodhen në të njëjtin pozicion, ekonomikisht të varura nga Kina, por edhe të lidhura fort me SHBA-të. Lee po përpiqet të manovrojë mes këtyre superfuqive.”

Kriza e brendshme dhe diplomacia e jashtme

Pas krizës politike që solli shkarkimin e ish-presidentit Yoon Suk-yeol, Lee erdhi në pushtet mes shpresave për stabilitet. Por marrëdhëniet me Uashingtonin nuk janë të lehta. Edhe pse Seuli ka premtuar investime prej 350 miliardë dollarësh në SHBA dhe blerje gazi natyror prej 100 miliardë dollarësh, tensionet janë rritur pas një aksioni imigracioni në një fabrikë të Hyundai në Georgia, ku u arrestuan mbi 300 punëtorë koreanë.

“Raporti me SHBA-të nuk është prishur, por po gërryhet ngadalë”, thotë për BBC studentja 23-vjeçare Hye-yeon Lee.

Ndërkohë, kërkesat e reja të Trump për “investime të drejtpërdrejta në para të thata” kanë shtuar trysninë ndaj qeverisë koreane.

Kina: armik, partner apo sfidë?

Në anën tjetër të bulevardit, protestues të tjerë kërkonin të largonin ndikimin e Pekinit.

“E duam Korenë tonë dhe duam ta mbrojmë nga ndikimi i Kinës”, thotë Park Da-som, 27 vjeç, duke sqaruar se zemërimi i tyre është me Partinë Komuniste Kineze, jo me popullin kinez.

Sentimenti anti-kinez është rritur që prej vitit 2016, kur Seuli pranoi të vendoste sistemin amerikan të mbrojtjes raketore THAAD, gjë që solli hakmarrje ekonomike nga Pekini. Qeveria e Lee-t, ndërkohë, ka prezantuar një projektligj për ndalimin e tubimeve që nxisin urrejtje apo diskriminim, duke u përpjekur të ruajë ekuilibrin mes lirisë së fjalës dhe stabilitetit diplomatik.

Loja e madhe diplomatike

Këtë javë, Xi Jinping pritet të kalojë më shumë kohë në Korenë e Jugut sesa Donald Trump, një sinjal i qartë për përpjekjet e Kinës për të forcuar lidhjet ekonomike dhe për të ofruar një alternativë ndaj Uashingtonit. Vizita e Xi-t është e para në 11 vjet dhe përkon me samitin e APEC-ut që mbahet në Gyeongju.

Një marrëdhënie më e butë me Pekinin mund t’i hapë derën Seulit për dialog me Korenë e Veriut, një prioritet i kahershëm për Partinë Demokratike të Lee-t.

“Nëse Lee arrin rezultate ekonomike, shumica do ta falë për fleksibilitetin ndaj Kinës”, thotë për BBC analisti John Delury nga Asia Society.

Një vend mes dy botëve

Koreja e Jugut është sot një fuqi ekonomike dhe kulturore botërore, nga K-pop-i dhe K-beauty, deri te platformat teknologjike që formësojnë tregjet aziatike. Por edhe në këtë sukses, mbetet nën hijen e dy superfuqive që përplasen mbi territorin e saj.

Mes “Trump-it që kërkon para” dhe “Xi-së që kërkon ndikim”, Seuli po ecën në një fije të hollë diplomacie, duke u përpjekur të mbajë të dy miqtë pa humbur veten.

/tvklan.al