Agit Kabayel i është përgjigjur pozitivisht sfidës publike të boksierit shqiptar Nelson Hysa, duke pranuar mundësinë e një përballjeje mes tyre në ring.
Pas ditësh përplasjesh në distancë dhe deklaratash të vazhdueshme nga Hysa, i cili ka kërkuar të masë forcat me boksierin gjerman, Kabayel ka bërë hapin e radhës përmes një postimi në Instagram.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale, Kabayel shpreh gatishmërinë për t’u përballur me Hysën, por vendos edhe dy kushte që, sipas tij, duhet të respektohen për realizimin e duelit.
“Jam gati ta pranoj sfidën tënde, me dy kushte. Mund të mos e pëlqejmë njëri-tjetrin, por popujt tanë qëndrojnë krah për krah. Prandaj, le ta mbajmë këtë mes nesh dhe të mos përpiqemi kurrë të vëmë gjermanët, kurdët apo shqiptarët kundër njëri-tjetrit. Së dyti: Nëse e pranoj këtë përballje, nuk ka kthim pas. Pa justifikime. Pa rrugëdalje. Erdhe tek unë, më shtrëngove dorën dhe më sfidove në mënyrën tënde. The se dukesha i frikësuar. Por Nelson, mos e ngatërro kurrë mirësinë me dobësinë. Kur të bjerë gongu, nuk do të buzëqesh. Do të të ndjek nga pas, do të të heq çdo hapësirë dhe nuk do të të jap asnjë moment për të marrë frymë”, tha boksieri Kabayel.
Data e propozuar për sfidën është 28 nëntori, ndërsa përballja pritet të marrë formë zyrtare pas firmosjes së kontratës nga Kabayel.
Kështu, sfida e shumëpërfolur mes dy boksierëve është një hap më pranë konkretizimit, teksa tashmë pritet formalizimi i marrëveshjes.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
