Arkeologët: Është më i vjetri në Europë

Këtë rrugë ndjekin arkeologët nënujorë për të shkuar në vendin e zbulimit te fundit arkeologjik në Lin të Pogradecit. Kamera e Televizionit Klan po ndjek një prej ekspeditave ne vendin mbreslënës arkeologjik.

Këtu është vendi ku kërkuesit nisen për të shkuar me varkë… për të kërkuar në shtratin e lumit mbetjet arkeologjike, që zbuluan një të vërtetë të rëndësishme historike.

Gjatë ekspeditës, u duhet të kthehen disa herë për të mbushur bombolat e oksigjenit.  

Këto janë gjetet që ujërat e Linit kanë ruajtur në shekuj, për të na shfaqur tani një të dhënë të rëndësishme, që në Lin, është ngritur vendbanimi palafit më i vjetër në Europë, që daton 7800 vjet para.

Këto janë drurët e lisit, dëllenjës, dhe pemëve halore që sipas ekspertëve, janë përdorur nga paraardhësit tanë për të ngritur platformën dhe shtëpitë palafite mbi ujë.

“I kemi nisur punimet që në 2021 dhe kuptuam që kishim të bënim me një vendbanim të madh. Më i vjetri fillon 6000 ose 5900 vite Para Krishtit. Druri qe është përdorur është ruajtur në gjendje shumë të mirë. Për këtë arsye dhe mund të nxjerrim kohën e saktë të datimit të vendbanimit, i cili do të jetë mjaft preciz”, tha Albert Hafner.

“Kemi gati 7-8 shekuj që ky komunitet ka ndërtuar vazhdimisht”, tha Adrian Anastasi, arkeolog.

Por deri më tani, gjetjet qeramike, veglat e përdoruara dikur, dhe mbetjet kockore kanë krijuar një ide se si kanë jetuar paraardhësit tanë.

“Janë, si të thuash, qeramikë luksi, pjesë të kategorive të qeramikës fine, e gjetur në Greqi, e importuar”, tha arkeologu Ilir Gjipali.

“Kemi qindra pirgje të mëdha druri, të cilat do ti studiojmë hollësisht. Kemi disa lloje të reja që nuk ishin të njohura për ne. Mund të them që ky material i përdorur këtu daton 8000 vite para”, tha Hafner.

“Mendojmë që të jetë një komunitet që ka lëvizur nga 100-150 persona deri në 500”, tha Anastasi.

Ky vendbanim mendohet të ketë qenë edhe më i madhi në Europë.

“35 mijë metër katrorë. Edhe kjo është pjesë e një sipërfaqe të madhe që dallon nga vendbanimet e tjera. Kjo shoqëron me lindjen e një arkitekture të re të ndërtimit të banesa, e ndërlikuar”, tha Anastasi.

Këtu veç peshkimit, ka të dhëna që komuniteti kultivoi bujqësinë dhe blegtorinë.

“Në kuptimin e drithërave, ishte gruri, thekra dhe vetë blegtoria që rrisnin ata”, tha Gjipali.

Por kërkimet po vijojnë për të nxjerrë në dritë të tjera të dhëna mbreslënëse.

Kërkimi nuk ka përfunduar, por kemi gjetur platformat e disa shtëpive, të cilat janë të thjeshta për t’u interpetuar. Kemi dhe një hapësirë tjetër, por duke qenë se është më e dendur do duhet më shumë kohë për ta studiuar”, tha Hafner.

Historia dhe kultura, po aq sa bukuritë natyrore, i tërheqin më së shumti vizitorët e huaj, e në Pogradec tanimë do të kenë mundësi të njihen edhe me vendin ku është ngritur vendbanimi më i hershëm palafit në Europë.

Tv Klan

/tvklan.al