Radhë të gjata dhe kaos nëpër stacionet e trenave në disa qytete shkaktoi një sabotim i dyshuar që goditi rrjetin hekurudhor në Holandë mëngjesin e kësaj të marte, duke shkaktuar ndërprerje të rënda të energjisë elektrike dhe dëmtime në qarqet e kontrollit të linjave.

Kompania e menaxhimit të infrastrukturës hekurudhore, Prorail, njoftoi se në disa pika të shinave u gjetën materiale të vendosura qëllimisht për të dëmtuar sistemin.

Qarkullimi u paralizua gjatë orës së pikut përreth qyteteve Zwolle, Deventer dhe Amersfoort, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar në stacione.

Kompania paralajmëroi se rivendosja e shërbimit normal do të kërkojë kohë.

Autoritetet holandeze konfirmuan se deri më tani është e paqartë kush mund të qëndrojë pas këtij akti.

Kaosi në transport ndodhi në të njëjtën ditë kur qeveria holandeze prezanton buxhetin vjetor në Parlament.

Kjo ngjarje mbledh çdo vit mijëra qytetarë në Hagë për të parë parakalimin tradicional të familjes mbretërore.

/tvklan.al