Policia e Shtetit ka njoftuar këtë të enjte se një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore është vënë në pranga. Bëhet fjalë për Françesk Valën, një 26-vjeçar lindur dhe banues në fshatin Gjuraj të Shkodrës.

Ky person është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda me 8 vjet burg për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Vala është autor i ngjarjes së ndodhur më 21 Nëntor të 2015-s, ku në fshatin Pulaj, sëbashku me tre persona të tjerë ka rrëmbyer dhe mbajtur peng një person në këmbim të 10 000 eurove.

Aksioni për kapjen e tij u zhvillua këtë të enjte nga policia e Shkodrës, mbi bazën e informacioneve operative.

Gjatë operacionit në lagjen “Rus”, policia ka arrestuar në flagrancë edhe një 25-vjeçar me iniciale M.G. Mësohet se i riu, po ndihmonte Françesk Valën pasi me automjetin e tij transportonte të dënuarin me 8 vite burg./tvklan.al