Tetë persona të dyshuar si pjesëtarë të një karteli të fuqishëm droge janë arrestuar nga forcat meksikane të sigurisë, vetëm pak ditë pas kapjes së drejtuesit të organizatës, Fausto Isidro Meza Flores, i njohur me nofkën “Chapo Isidro”.

Arrestimi i tij të premten shkaktoi një valë dhune në shtetin e Sinaloas, në veri të Meksikës, ku anëtarë të kartelit ndërmorën sulme hakmarrëse, dogjën automjete dhe ngritën barrikada në rrugët kryesore.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Meksikës, tetë personat u arrestuan të dielën në qytetin Sinaloa de Leyva, gjatë një operacioni të forcave ushtarake që synonte rikthimin e rendit në zonë. Gjatë ndërhyrjes, ushtarët u qëlluan me armë zjarri nga të dyshuarit. Ministria bëri të ditur se njëri prej të arrestuarve është i mitur.

Gjatë operacionit u sekuestruan edhe gjashtë automjete, dy prej të cilave ishin të pajisura me mbrojtje antiplumb dhe armë të montuara.

Ndërkohë, bilanci i dhunës së shkaktuar pas arrestimit të kreut të kartelit është 17 viktima, mes tyre katër pjesëtarë të forcave të sigurisë, sipas Prokurorisë së shtetit të Sinaloas.

Meza Flores, 44 vjeç, ishte një nga personat më të kërkuar nga FBI-ja dhe për vite me radhë kishte arritur t’u shpëtonte autoriteteve. Ai akuzohet për drejtimin e një organizate të fuqishme të trafikut të drogës, e cila dyshohet se ka dërguar në Shtetet e Bashkuara sasi të mëdha kokaine, heroine, metamfetamine dhe marijuane.

Gjatë operacionit për kapjen e tij u arrestuan edhe krahu i tij i djathtë, i njohur si “Serafín”, si dhe personi përgjegjës për financat e organizatës. Të tre u transportuan me avion drejt kryeqytetit, Mexico City.

Autoritetet meksikane bëjnë me dije se forcat speciale përdorën elementin e befasisë për të hyrë në banesën e të kërkuarit, ndërsa rrethuan zonën për të penguar arratisjen e tij dhe mbërritjen e përforcimeve të kartelit. Operacioni u shoqërua me shkëmbim të fortë zjarri.

Departamenti amerikan i Drejtësisë e cilësoi arrestimin e Meza Flores si një operacion të rëndësishëm ushtarak, duke vlerësuar bashkëpunimin mes forcave amerikane dhe atyre meksikane. Edhe Agjencia Amerikane Kundër Drogës (DEA) e konsideroi kapjen e tij një goditje të fortë ndaj organizatës kriminale.

Meza Flores dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës prej disa dekadash. Ai fillimisht ka pasur lidhje me kartelin Juárez, ndërsa më vonë u bë një nga njerëzit kryesorë të organizatës Beltrán Leyva, përpara se të krijonte grupin e tij kriminal.

Sipas autoriteteve amerikane, përplasjet mes organizatës së tij dhe kartelit të Sinaloas për kontrollin e territoreve kanë shkaktuar një rritje të ndjeshme të vrasjeve të lidhura me trafikun e drogës.

Arrestimi konsiderohet një sukses edhe për qeverinë e presidentes meksikane Claudia Sheinbaum, e cila ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër karteleve të drogës, duke theksuar se çdo bashkëpunim duhet të respektojë sovranitetin e Meksikës.

/tvklan.al