Gjykata e Lartë ka rrëzuar këtë të martë, 28 korrik, kërkesën e Fatime Kryemadhit për tërheqjen nga gjykimi i shkurtuar në procesin ku akuzohet për pastrim parash.

Kërkesa e saj për tërheqje nga gjykimi i shkurtuar dhe për bashkimin e çështjes me procesin ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, ishte rrëzuar më herët nga GJKKO.

Fatime Kryemadhi pretendonte ndarjen e çështjes nga Pirro Xhixho dhe shpalljen e moskopetencës nga GJKKO, e dërgimin e çështjes në Gjykatën e Tiranës. Kryemadhi argumenton se nuk është subjekt i posaçëm.

Diçka e tillë nuk u pranua nga GJKKO-ja, pasi e konsideroi si një përpjekje për zvarritje.

Në pretencën e SPAK-ut, u kërkua që Fatime Kryemadhi të cilësohet fajtore për akuzën e pastrimit të parave në bashkëpunim dhe të dënohet me 7 vite e 6 muaj heqje lirie. Dënimi, për shkak të gjykimit të shkurtuar, do të ulet në 5 vite dhe për shkak të moshës dhe disa rrethanave të tjera lehtësuese, të shlyhet duke u paraqitur te shërbimi i provës për 5 vite.

/tvklan.al