Këshilli Bashkiak shkarkoi këtë të martë, 23 shtator, nga detyra kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me 50 vota pro.

Të vetmit që nuk votuan, ishin Alfred Muharremi dhe Fabjan Topollaj.

Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, nuk ishte i pranishëm në mbledhje, pasi kërkesa e tij u refuzua më herët nga Komisioni i Çështjeve Ligjore. Mungesa e tij sakaq, nuk u diskutua në asnjë moment nga të pranishmit.

Por përveçse mungesës së Veliajt, nuk ishin as kryetarja e komanduar, Anuela Ristani, si dhe anëtarët socialistë Gazment Paja dhe Joleza Koka. Pas rreth një ore që nga nisja e mbledhjes, u bashkua anëtari socialist Aldo Merkoci.

Të pranishmit mbajtën nga 5 minuta fjalim për procedurë. Anëtarët socialistë u shprehen se ky hap lidhet me nevojën për t’i dhënë fund ngërçit politik që ka kapluar kryeqytetin që pas arrestimit të Veliajt. Nga ana tjetër, anëtarët e opozitës nisën të listonin akuza të ndryshme ndaj Veliajt, teksa nuk fshehnin as “gëzimin” për shkarkimin e tij si kryebashkiak.

“I ka kushtuar Tiranës. Sa i përket aktit të sotem, është një akt historik”, tha Teliti.

“Veliaj ka humbur në fillim moralin dhe më pas edhe lirinë. Duhet ta kishte dhënë dorëheqjen në dhjetor, në shkurt, në maj, në korrik, e megjithatë ai refuzoi. E mori karrigen e kryetarit të bashkisë në burg. Por jo pa lejen tuaj. Veliaj e ka mbajtur këtë qytet peng me lejen tuaj. Çdo anëtar i PS-së në këtë këshill duhet ta nisë me një ndjesë për qytetarët e Tiranës. Të kërkojë ndjesë që i kanë humbur Tiranës të paktën shtatë muaj. Ju ftoj të gjithëve të votojmë shkarkimin e Erion Veliajt”, tha Endrit Shabani, këshilltar i nismës “Thurrje”

“Jam pro shkarkimit të Veliajt, e kam kërkuar në krye të herës që në momentin kur akuzohej. Mendoj që qytetarët e Tiranës paguajnë kot për këshillin bashkiak ndërkohë që ky këtu nuk diskutohet dhe nuk çohen para çështjet e këshilltarëve”, tha Mirela Ruko.

“Erion Veliaj është gjallë. Ai duhet të ishte këtu, sic ja lejon ligji. Unë jam e lumtur që ai mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë për këto vite, këtë gjellë që sot ja gatuat ju”, tha Zhulali.

Shkarkimi i Veliajt u iniciua nga këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës, të cilët u vunë në lëvizje pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste. Ata e argumentojnë kërkesën e tyre me mungesën në detyrë për 3 muaj sipas ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”.

Kujtojmë se Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa janë nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, akuzat të cilat ata i kanë mohuar dhe cilësuar si sulm politik. SPAK pritet të komunikojë përfundimin e hetimit ndaj tyre gjatë këtij muaji.

Mbledhja e sotme shënoi një nga momentet më të tensionuara në historikun e Bashkisë së Tiranës. Sakaq, ai ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese 15 ditë më vonë, më pas është ky organ që jep verdiktin.

/tvklan.al