22 nëntor 2026- Kryeministri i Shipërisë, Edi Rama, ka vizituar Shtëpinë Muze të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, në Maqedoninë e Veriut, qytetin historik ku 118 vite më parë u hodhën themelet e alfabetit tonë kombëtar.
Gjatë vizitës, Rama vlerësoi rëndësinë historike të këtij objekti, duke e cilësuar atë si një simbol të identitetit, kulturës dhe bashkimit të shqiptarëve.
“Në historinë e Ballkanit ka plot shtëpi ku burra të rëndësishëm, ose më pak të rëndësishëm, janë ulur rreth një oxhaku për të vendosur për një luftë, për një kufi apo për një gjak të marrë ose të falur. Ndërsa këtu në këtë shtëpi, 118 vjet më parë, njerëzit u ulën rreth një tryeze për të vendosur si do t’i shkruanin njëri-tjetrit nga Manastiri në Shkodër, nga Prishtina në Vlorë, apo nga Durrësi në Korçë, ku secili mund të kishte mësuar ta hidhte shqipen në letër me shkronja të ndryshme.
Dhe nëse kjo ishte një telash për dy dijetarë që donin të shkëmbenin letra, merret me mend se çfarë pengese ishte për një komb që s’kishte shkolla, s’kishte libra dhe asnjë gjuhë të shkruar bashkërisht për fatin e vet të përbashkët.
Këtu erdhën në ato ditë njerëz malesh, luginash e brigjesh deti, që faleshin në mënyra të ndryshme, që e flisnin shqipen me regjistra të ndryshëm dhe që, kur vinte puna te alfabeti, kishin parapëlqime krejt të ndryshme për shkronjat që do të merrnin përparësi. Në fund, Kongresi pranoi dhe i hapi rrugën një tjetër uljeje rreth oxhakut shumë dekada më vonë, kur gjuha shqipe u njehsua në trupin që sot e gjithë ditën mbart bashkë kombin tonë.Mes burrave të këtij Kongresi ishte dhe një grua e re nga ky qytet: Parashqevi Qiriazi. Ajo vinte nga Shkolla e Vashave në Korçë dhe një vit më pas botoi këtu në Manastir abetaren e saj. Sa herë flasim për ata që bënë historinë, mua më pëlqen të kujtoj këtë grua që, me t’u mbyllur Kongresi, u ul të shkruante një libër për 6-vjeçarët. Dhe shumë vite më vonë, Parashqevi Qiriazi u bë frymëzim edhe për ne kur miratuam abetaren e përbashkët me qeverinë e Kosovës. ”, u shpreh kryeministri.
Në fjalën e mbajtur, Kryeministri theksoi nevojën për ta parë mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe përtej kufijve, në kushtet e sfidave që teknologjia digjitale dhe komunikimi global paraqesin për gjuhët e vendeve të vogla.
Shtëpia Muze e Alfabetit në Manastir ruan kujtesën e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare, ku u vendos për alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe.
Kjo trashëgimi historike vijon të përcillet ndër breza si një simbol i gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Fjala e plotë:
Në historinë e Ballkanit ka plot shtëpi ku burra të rëndësishëm, ose më pak të rëndësishëm, janë ulur rreth një oxhaku për të vendosur për një luftë, për një kufi apo për një gjak të marrë ose të falur.
Ndërsa këtu në këtë shtëpi, 118 vjet më parë, njerëzit u ulën rreth një tryeze për të vendosur si do t’i shkruanin njëri-tjetrit nga Manastiri në Shkodër, nga Prishtina në Vlorë, apo nga Durrësi në Korçë, ku secili mund të kishte mësuar ta hidhte shqipen në letër me shkronja të ndryshme.
Dhe nëse kjo ishte një telash për dy dijetarë që donin të shkëmbenin letra, merret me mend se çfarë pengese ishte për një komb që s’kishte shkolla, s’kishte libra dhe asnjë gjuhë të shkruar bashkërisht për fatin e vet të përbashkët.
Këtu erdhën në ato ditë njerëz malesh, luginash e brigjesh deti, që faleshin në mënyra të ndryshme, që e flisnin shqipen me regjistra të ndryshëm dhe që, kur vinte puna te alfabeti, kishin parapëlqime krejt të ndryshme për shkronjat që do të merrnin përparësi. Në fund, Kongresi pranoi dhe i hapi rrugën një tjetër uljeje rreth oxhakut shumë dekada më vonë, kur gjuha shqipe u njehsua në trupin që sot e gjithë ditën mbart bashkë kombin tonë.Mes burrave të këtij Kongresi ishte dhe një grua e re nga ky qytet: Parashqevi Qiriazi. Ajo vinte nga Shkolla e Vashave në Korçë dhe një vit më pas botoi këtu në Manastir abetaren e saj. Sa herë flasim për ata që bënë historinë, mua më pëlqen të kujtoj këtë grua që, me t’u mbyllur Kongresi, u ul të shkruante një libër për 6-vjeçarët. Dhe shumë vite më vonë, Parashqevi Qiriazi u bë frymëzim edhe për ne kur miratuam abetaren e përbashkët me qeverinë e Kosovës
Ka sot një fëmijë shqiptar në diasporë që e kupton çdo fjalë që i thotë gjyshja në telefon, po kur do t’i tregojë çfarë i ndodhi në shkollë, i kërkon ndihmë mamit. Dhe ka një fëmijë në Tiranë apo në Prishtinë që flet shqip gjithë ditën, por po humbet përditë fjalë nga thesari i shqipes së shkruar, sepse shqipja është në një agresion të madh – si të gjitha gjuhët e vendeve të vogla – në këtë kohë të teknologjisë digjitale. Prandaj unë them se qeveria e Shqipërisë, qeveria e Kosovës dhe të gjitha strukturat dhe institucionet që shqiptarët kanë sot në këtë rajon, duhet të shohin më tutje me një projekt afatgjatë për shqipen mbi themelet që tanimë i kemi ndërtuar së bashku: me abetaren e përbashkët dhe me tekstet që kemi punuar bashkë për mësimin shqip në distancë.
Do të ishte vërtet e pajustifikueshme përballë historisë që Tirana dhe Prishtina sot, së bashku me të tjerët përreth në këtë hapësirë ku shqipja gëzon të drejta që nuk i ka pasur më parë, të ndërmerrnin së bashku përsipër ndërtimin e një biblioteke të madhe dixhitale të hapur për çdo fëmijë dhe çdo mësues shqiptar në mbarë botën. Me libra që mund t’i lexosh ose t’i dëgjosh, me shkencë të treguar bukur në shqip, me letërsi për çdo moshë.
Dhe do të ishte bukur që kjo nismë të merrte jetë nga një tryezë ku një mësuese nga Tirana, një mësuese nga Prishtina, një tjetër nga Tetova, një nga Ulqini dhe dy të tjera që japin shqip të shtunave në Athinë apo në Cyrih, të uleshin dhe të na mësonin se çfarë u ka munguar të hënën e shkuar në klasë. Patjetër që besoj se do të mësojmë prej tyre në një orë më shumë sesa në mbledhje mes veti apo në shkresa që shkëmbejmë me njëri-tjetrin.
Edhe në Shqipëri sot, 22 Nëntori është një festë zyrtare dhe është vërtet bukur që një vend ka në kalendarin e vet një ditë për nder të alfabetit. Por për ne, dhe besoj edhe për qeverinë e Kosovës së bashku, 22 Nëntori mund të ishte një ditë e bukur edhe për t’ia kushtuar llogaridhënies për ecurinë e gjuhës shqipe: Sa libra të rinj kanë mbërritur te fëmijët? Sa mësues jashtë kufijve kemi ndihmuar? Sa fëmijë që vjet e kuptonin shqipen, sivjet arrijnë të lexojnë një tregim të tërë? Këto janë në fakt pyetje, përgjigjet e të cilave do t’i kishin interesuar shumë, besoj, Parashqevi Qiriazit.
Mirënjohje për të gjithë ata që e mbajtën në këmbë dhe e mbajtën në jetë këtë shtëpi të bekuar të historisë sonë. Mirënjohje dhe të gjithë atyre që punuan për këtë shtëpi-muze, por edhe atyre që kontribuuan për këtë riinstalim të ri të muzeut, duke filluar nga ata që e morën këtë mision nga Shqipëria, duke vazhduar pa diskutim me ambasadorin tonë hiperaktiv në Shkup, dhe patjetër pa lënë mënjanë edhe ata këtu vendas nga Maqedonia e Veriut që ishin pjesë e kësaj iniciative.
Dhe mbi të gjitha, falënderimi i veçantë për ta, për shqiptarët e këtushëm që e shpëtuan, e ruajnë dhe e çmojnë në këtë qytet këtë thesar të madh të shqiptarëve dhe të trashëgimisë kulturore të kombit tonë.
Gëzuar Ditën e Alfabetit këtu nga Manastiri të gjithë shqiptarëve kudo ku janë! Faleminderit shumë!”
/tvklan.al












Botërori 2026 