Zjarret e kësaj vere në Shqipëri kanë përfshirë mbi 1 200 hektarë nga veriu në jug të vendit, me rreth 500 hektarë më shumë se një vit më parë. Në një intervistë për TV Klan, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, thotë se autoritetet janë përballur me 61 vatra zjarri masive.

“Ka një bilanc paraprak operativ: rezulton që nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, i gjithë sistemi i mbrojtjes civile në Shqipëri dhe emergjencat civile kanë menaxhuar rreth 61 vatra zjarri masive në pyje, kullota dhe pemëtari në shkallë vendi. Janë 1 228 ha të përshkruara, ku rreth 70% janë të përshkuara plotësisht dhe pjesa tjetër më pak e dëmtuar”.

Qarku i Gjirokastrës dhe Kruja ishin ato që morën vëmendjen më të madhe për shkak të rrezikut ndaj zonave të banuara, por një angazhim të madh emergjencat patën edhe në periferi të Tiranës, në malin e Dajtit dhe në Parkun Kombëtar të Lurës.

“Muaji gusht ka kërkuar angazhim të strukturave lokale, vendore, por edhe atyre qendrore. Janë menaxhuar zjarre masive, si ai i Gjirokastrës që përshkoi disa njësi administrative, zjarri masiv i Krujës, si edhe zjarre masive në Delvinë, Finiq, Llogara, apo zonën e Selenicës, në malet e Përmetit dhe Lunxherisë në Gjirokastër. Operacionet vijojnë në disa vatra kryesore në parqe kombëtare: ai i Lurës prej 10 ditësh dhe ai i Dajtit ku ndërhyrja nuk është ndërprerë për asnjë çast”.

Krahas forcave operacionale, për zjarret po përdoren edhe imazhet e dronëve “Bayraktar” të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët regjistrojnë çdo ditë të gjithë territorin e vendit, si edhe dronët mbikëqyrës të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

“Janë mbi 5 800 forca të angazhuara, mbi 360 mjete tokësore, 5 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Helikopterët janë operativë në fikjen e zjarrit, ndërsa po përpunohen edhe informacionet e dronëve “Bayraktar” që skanojnë çdo mëngjes territorin e vendit, së bashku me dronët mbikëqyrës të AKMC”.

Deri tani nuk është parë e nevojshme aktivizimi i mekanizmit të mbrojtjes civile europiane, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria.

“Të gjitha kapacitetet kanë qenë në bazë të kërkesës së bashkive dhe prefekturave, pa qenë e nevojshme t’i adresohemi mekanizmit të mbrojtjes civile europiane. Çdo bashki duhet të përcaktojë një drejtues për koordinimin institucional në nivel bashkie apo prefekture”.

Edhe pse dëmet janë të konsiderueshme, fatmirësisht deri tani zjarret nuk kanë shënuar viktima në jetë njerëzish.

Tv Klan

/tvklan.al