Është normale që brenda një familjeje të ketë përplasje e kontradikta midis anëtarëve të saj, por këto situatata gjithmonë tërheqin vëmendjen e publikut kur ndodhin tek personazhet që asnjëherë nuk e pret!

E kemi fjalën për familjen Beckham, ku duket se ka nisur konflikti tipik nuse-vjehrrë.

Pikërisht për ketë temë u diskutua sot, 26 janar, në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku të ftuara ishin gazetarja dhe kryeredaktorja e Klan Radio 92.9 FM, Dasara Karaiskaj, si dhe gazetarja Klotilda Harka.

Mes diskutimit se “kush ka të drejtë” nga palet e përfshira në këtë konflikt, gazetarja Harka ndau një informacion interesant, që ndoshta mund të tregojë një “obsesion” në një lidhje dashurie.

Bazuar në deklaratat e psikoterapistëve, Brooklyn Beckham ka 70 tatuazhe vetëm për bashkëshorten e tij. Mes këtyre tatuazheve, ndodhet dhe gjyshja e Nicole Peltz Beckham.

Këto, bazuar dhe në qëndrimin e vetë Brooklyn Beckham, sipas gazetares e bëjnë të duket si një djalë “pa shtyllë kurrizore”.

“Pa e paragjykuar se ai nuk po na dëgjon ne, që të fillojë e të merret me ne. Ndoshta dhe na dëgjon, se videot virale shkojnë deri aty ku s’ta merr mendja. Por, nuk ta mbush mendjen. Përveç se është i ri, ka një pamje prej një djaloshi të papjekur. Pa atë shtyllën kurrizore të një burri të vërtetë. Psikoterapistët kanë thënë që ka 70 tatuazhe vetëm për Nicole-n. Kjo është parë si një problematikë shumë e madhe, madje ka bërë tatuazh gjyshen e Nicole”, u shpreh Harka.

Brooklyn Peltz Beckham, djali i madh i David dhe Victoria Beckham, deklaroi disa ditë më parë se ka ndërprerë marrëdhëniet me familjen e tij.

26-vjeçari ka reaguar për herë të parë publikisht për konfliktin, përmes një postimi të gjatë në Instagram, ku pranon hapur përçarjen me prindërit dhe vëllezërit e motrën.

Në deklaratën e tij, Brooklyn akuzon prindërit se kanë kontrolluar për vite me radhë narrativat mediatike për familjen dhe se kanë tentuar të dëmtojnë martesën e tij me bashkëshorten, Nicola Peltz Beckham.

“Kam heshtur për vite dhe jam përpjekur që këto çështje të mbeten private. Por prindërit e mi dhe ekipi i tyre kanë vazhduar t’i drejtohen mediave, duke më detyruar të flas vetë”, shkruan ai.

Sipas Brooklyn, ai nuk ka asnjë dëshirë për pajtim dhe për herë të parë në jetën e tij po qëndron për veten. Ai shton se është rritur në një mjedis ku imazhi publik dhe postimet në rrjetet sociale kanë pasur përparësi ndaj marrëdhënieve reale familjare.

Brooklyn pretendon se prindërit kanë shpërndarë, sipas tij, informacione të pavërteta në media për të ruajtur imazhin e familjes, shpesh në kurriz të personave të pafajshëm.

Nicola Peltz Beckham, vajza e miliarderit amerikan Nelson Peltz, u martua me Brooklyn në vitin 2022. Ajo ka qenë në qendër të përplasjeve mes tij dhe familjes Beckham, sipas deklaratës së vetë Brooklyn.

Në postimin e tij, ai rrëfen se nëna e tij anuloi në momentet e fundit përgatitjen e fustanit të nusërisë për Nicolën, duke e detyruar atë të gjente një alternativë me urgjencë. Ai gjithashtu pretendon se prindërit ushtruan presion që ai të hiqte dorë nga të drejtat mbi emrin e tij para dasmës.

Sipas tij, tensionet vazhduan edhe gjatë organizimit të ceremonisë, ndërsa pas dasmës sulmet, siç i cilëson ai, janë intensifikuar përfshirë edhe përplasjet në rrjetet sociale me vëllezërit e tij.

Brooklyn ka bërë edhe akuza të rënda personale, duke pretenduar se nëna e tij ndërhyri në kërcimin e parë të çiftit gjatë dasmës, duke e bërë atë të ndihej i poshtëruar para të ftuarve.

Ai shton se bashkëshortja e tij është trajtuar pa respekt nga familja Beckham dhe se nuk është ftuar në festën e 50-vjetorit të babait të tij.

/tvklan.al