Interi dhe Hakan Calhanoglu kanë hedhur hapat e parë zyrtarë për rinovimin e kontratës së mesfushorit turk, e cila përfundon në qershor.

Palët kanë shprehur dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin, ndërsa tashmë diskutimet janë përqendruar te kohëzgjatja dhe struktura financiare e marrëveshjes së re.

Sipas mediave italiane gjatë një takimi të zhvilluar rreth dy javë më parë, Calhanoglu nuk ka paraqitur kërkesa konkrete për shifra, por ka kërkuar njohjen e rolit dhe statusit të tij në skuadër.

Mesfushori kërkon një kontratë të re me kohëzgjatje të paktën dyvjeçare, me një pagë fikse në nivelin e përfitimeve aktuale.

Nga ana tjetër, drejtuesit zikaltër po shqyrtojnë një formulë të ndryshme të ofertës, duke synuar të përfshijnë edhe një pjesë të ndryshueshme të pagës, të lidhur me rezultatet e skuadrës dhe ecurinë në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, në klubin italian ekziston vullneti për të arritur një marrëveshje dhe për të shmangur pasigurinë rreth të ardhmes së një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës.

Sipas medias italiane, Interi synon të paraqesë së shpejti ofertën përfundimtare, me objektivin që negociatat të mbyllen deri në fund të janarit.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët për kushtet financiare dhe kohëzgjatjen e kontratës, në mënyrë që Calhanoglu të vijojë karrierën e tij në Milano.

Klan News

/tvklan.al