Kolumbia feston me fitore rikthimin e saj në Kupën e Botës, me një triumf spektakolar ndaj debutuesit Uzbekistan, në një ndeshje plot emocione që u vendos vetëm në minutat shtesë.

Skuadra amerikano-jugore triumfoi 3-1 falë një paraqitjeje të shkëlqyer nga Luis Diaz, i cili ishte protagonisti kryesor i takimit.

Sulmuesi krijoi golin e parë për Daniel Munoz në pjesën e parë dhe më pas shënoi vetë në pjesën e dytë për t’i dhënë avantazhin Kolumbisë.

Kolumbia e nisi me ritëm të lartë dhe iu afrua golit në minutën e 32-të, kur Diaz lëshoi një goditje të fortë me të majtën, por topi përfundoi pranë shtyllës.

Presioni i vazhdueshëm u shpërblye pesë minuta para pushimit, kur një pasim perfekt i Diaz mbi mbrojtjen uzbekase u shfrytëzua nga Daniel Munoz, i cili realizoi me një prekje të bukur.

Megjithatë, Uzbekistani nuk u dorëzua. Debutuesit shkruan historinë kur Abbosbek Fayzullaev shënoi golin e parë të kombëtares së tij në një Kupë Bote, duke barazuar rezultatin pas një aksioni të rrezikshëm dhe një topi të kthyer në zonë.

Gëzimi i Uzbekistanit zgjati pak. Kolumbia reagoi menjëherë dhe riktheu epërsinë falë Luis Diaz. Ky ishte goli i parë i Diaz në historinë e tij në Kupën e Botës.

Në fund, fitorja u vulos në minutën e 99-të. Cucho Hernandez fitoi një top të rëndësishëm në krah dhe asistoi për zëvendësuesin Jaminton Campaz, i cili shënoi me kokë duke siguruar tre pikët për Kolumbinë.

Me këtë sukses, Kolumbia merr kontrollin e Grupit K në një grup ku ndodhet edhe Portugalia që barazoi me Kongon, ndërsa për Uzbekistanin mbetet një paraqitje pozitive pavarësisht humbjes në debutim.

Një tjetër moment historik u regjistrua edhe për Fabio Cannavaron, i cili u bë i katërti në histori që ka fituar Topin e Artë dhe ka marrë pjesë në një Kupë Bote si lojtar dhe si trajner, pas legjendave Franz Beckenbauer, Oleg Blokhin dhe Marco van Basten.

Klan News

/tvklan.al