Të qeshurat, humori dhe emocionet rikthehen në skenën nga trupa e teatrit  “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Komedia “Grepi i Artë” vjen për publikun durrsak me një histori që ndërthur intrigat, dyshimet dhe sekretet, në një lojë ku asgjë nuk është ashtu siç duket.

Përgjime, kamera të fshehta, maskime dhe dyshime për tradhti vënë në lëvizje një sërë situatash të papritura.

Në qendër të veprës janë ambicia për pushtet dhe përpjekjet për të ruajtur imazhin, që kthehen në burim konfliktesh dhe humori.

E shkruar nga Bashkim Hoxha dhe me regji të Najada Elmazit, komedia u shfaq nën interpretimin e trupës së Teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Për autorin Bashkim Hoxha, kjo premierë ka edhe një domethënie të veçantë.

Ai shprehet se është kënaqësi ta shohë komedinë e tij të vijë në skenë nga trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, me të cilën, plot 50 vite më parë, kishte vënë në skenë dramën e tij të parë, “Shokë Lufte”.

Përmes personazheve dhe situatave plot ironi, aktorët Neritan Liçaj, Julia Ilirjani, Mimoza Marjanaku, Era Çaushi, Ervin Doko, Marvin Tafaj dhe Xhejni Fama sjellin në skenë një histori që ndërthur humorin me të papriturat.

“Grepi i Artë” do të vijojë të shfaqet gjatë fundjavës për te gjithë artadashësit, duke sjellë për publikun mbrëmje kushtuar humorit dhe artit skenik.

Klan News

/tvklan.al