Kisha Katolike në Shkodër përkujtoi 10-vjetorin e lumturimit të 38 martirëve shqiptarë me një procesion që u mbajt mbrëmjen e së mërkurës.

Besimtarët ecën nga Katedralja e Shën Shtjefnit drejt varrezave katolike të Rrmajit, në kujtim të martirëve dhe të përndjekjes së klerit katolik gjatë regjimit komunist.

Pikërisht në varrezat e Rrmajit, më 4 nëntor 1990, Dom Simon Jubani kremtoi meshën e parë publike pas 23 vitesh ndalimi të fesë.

Ajo meshë shënoi rikthimin e kremtimeve fetare publike në Shqipëri.

Në fjalën e tij, kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Giovanni Peragine, u bëri thirrje besimtarëve të ndjekin shembullin që u kanë lënë martirët e Kishës Katolike.

Më 5 nëntor 2016, në sheshin e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, Kisha Katolike lumturoi 38 martirët shqiptarë, mes tyre edhe kryeipeshkvin Vinçens Prenushi.

Dhjetë vjet pas asaj ceremonie, procesioni drejt Rrmajit rikujtoi dëshminë e atyre që humbën jetën për besimin e tyre gjatë regjimit komunist.

Klan News

/tvklan.al