Gjatë qëndrimit në Tiranë, Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos zhvilloi një takim edhe me përfaqësuesit e opozitës në Kuvend.

Në të merrnin pjesë Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Jorida Tabaku, Nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj dhe Kryetari i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi.

Zyrtarët e lartë demokrat e informuan Komisioneren Kos për zhvillimet në Shqipëri duke e garantuar se opozita e mbështet procesin e integrimit dhe se do jetë Partia Demokratike ajo që do ta përfundoje atë. 

Gjatë bisedës, demokratët e kanë njohur zyrtaren e lartë të Bashkimit Europian, me veprimet e mazhorancës që sipas tyre kanë patur për qëllim zhbërjen e rolit të opozitës në Kuvend dhe refuzimin për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.  

Gjithashtu ata shprehën shqetësimin se opozita ndodhet nën sulm dhe se Kryeministri Edi Rama po përdor drejtësinë për këtë qëllim.

Për këtë ata sollën në vëmendje proceset dhe burgosjen e disa prej drejtuesve të opozitës.

Tv Klan