Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ishte i pranishëm këtë të mërkurë, 1 korrik, në mbledhjen e komisionit kombëtar të integrimit. E pranishme ishte dhe kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi.
Në tryezë u diskutuan progresi dhe sfidat në kuadër të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si dhe për luftën kundër piraterisë digjitale dhe audiovizive.
Balla u shpreh se Kuvendi ka një rol kyç në procesin e integrimit evropian, përmes miratimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit, si edhe dialogut me institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ai bëri të ditur se po shqyrtohen ndryshime në ligjin për të drejtën e autorit dhe legjislacionin për mediat audiovizive, si pjesë e përafrimit me standardet e BE-së.
“Kuvendi i Shqipërisë, përmes Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe përmes komisioneve përgjegjëse, ka një rol të pazëvendësueshëm. Së pari, përmes monitorimit të procesit të zbatimit të ligjeve, duke iu informuar se jemi në proces të miratimit të legjislacionit të nevojshëm për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kapitujt 7 dhe 10. Së dyti, përmes funksionit tonë të pazëvendësueshëm mbikëqyrës, duke monitoruar zbatimin e reformave dhe punën e institucioneve përgjegjëse dhe së treti, përmes këtij këshilli, i cili ka krijuar një platformë dialogu përmes pjesëmarrjes së institucioneve, shoqërisë civile, operatorëve të biznesit, komunitetit krijues dhe partnerëve tanë evropianë. Aktualisht Kuvendi është angazhuar në shqyrtimin e një projektligji të ri për të drejtën e autorit dhe në procesin e përmirësimit të legjislacionit për mediat audiovizive, në bashkëpunim me ekspertët e Kuvendit dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Dëshmi e këtij procesi është fakti që ne nuk e shohim si një proces formal, por si një proces të vazhdueshëm të modernizimit të shtetit shqiptar”, u shpreh Balla.
Në fjalën e saj, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, theksoi se pirateria audiovizive sot nuk kufizohet vetëm te kopjimi i paligjshëm, por është kthyer në një aktivitet të organizuar që përdor teknologji moderne dhe platforma të ndryshme online për shpërndarje të paautorizuar të përmbajtjeve.
Sipas saj, kjo dëmton tregun, investimet në industrinë krijuese dhe ekspozon edhe publikun ndaj rreziqeve të ndryshme.
“Pirateria sot nuk përkufizohet thjesht me kopjimin e paligjshëm të një filmi apo thjesht të një përmbajtjeje audiovizive. Tani pirateria është shndërruar në një aktivitet të organizuar, që shfrytëzon teknologjinë moderne, përdor servera të shpërndarë në juridiksione të ndryshme të botës, shfrytëzon aplikacione, rrjete sociale, apo ndryshe platformat e shpërndarjes së videove, platforma të komunikimit online, për të shpërndarë përmbajtjen e cila është e mbrojtur apo e blerë pa autorizimin e mbajtësve të së drejtës. Pra, çështja e piraterisë së produktit audioviziv tashmë është shumë komplekse. Në këtë kontekst, pirateria nuk është vetëm shkelje e së drejtës së autorit apo e të drejtave të transmetimit. Ajo përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për funksionimin e tregut audioviziv, për cenimin e subjekteve të ligjshëm, për dëmin real të tyre. Megjithatë, këto mundësi për të zhvilluar këtë aktivitet të paligjshëm, pirateria televizive dëmton operatorët që investojnë në mënyrë të ligjshme, në përmbajtje cilësore, në konkurrencën e ndershme, ul stimujt për të bërë investime të reja, kufizon zhvillimin e industrisë krijuese dhe në fund të fundit dëmton edhe vetë publikun, i cili ekspozohet ndaj produkteve me një cilësi të ulët, pa garanci sigurie dhe shpeshherë shoqëruar me rreziqe kibernetike”, u shpreh ajo.
Sipas Krasniqit, gjatë vitit 2025 janë rritur ankesat në AMA për shkelje të të drejtave të transmetimit përmes piraterisë online, duke e kthyer këtë fenomen në një nga sfidat kryesore të tregut audioviziv.
“Gjatë viteve të fundit, AMA në fakt ka ndërtuar një qasje të integruar, e cila kombinon monitorimin, inspektimin aktiv të tregut, ndërhyrjen administrative, bashkëpunimin me autoritetet kombëtare por edhe ato ndërkombëtare, si dhe iniciativa për përmirësimin e kuadrit tonë ligjor që ne e ndjejmë si mangësi. Një nga treguesit më domethënës të këtij angazhimi është fakti se pjesa dërrmuese e ankesave të administruara nga AMA gjatë vitit 2025 lidhet pikërisht me shkeljen e të drejtave të transmetimit përmes piraterisë televizive, kryesisht nga subjekte të paautorizuara që operonin nëpërmjet internetit. Ky zhvillim konfirmon se pirateria nuk është vetëm një fenomen thjesht periferik, por një nga sfidat me të cilat përballet vetë tregu ynë audioviziv. Përballë këtij realiteti, AMA ka intensifikuar ndjeshëm aktivitetin monitorues por edhe atë hetimor. Falë këtij angazhimi, grupet e inspektimit të AMA-s kanë identifikuar serverë të cilët shpërndanin në mënyrë të paligjshme përmbajtje audiovizive shqiptare, kanë monitoruar aktivitetin e platformave sociale ku promovohet pirateria, kanë ndjekur gjurmët digjitale të aplikacioneve IPTV dhe kanë bashkëpunuar me autoritetet përgjegjëse për bllokimin e tyre”, u shpreh ajo.
Kryetarja e AMA-s deklaroi se gjatë vitit 2025 janë mbyllur 10 servera brenda Shqipërisë që shpërndanin përmbajtje të piratuar, ndërsa me bashkëpunim ndërkombëtar janë bllokuar edhe katër servera të tjerë jashtë vendit.
Sipas Krasniqit, lufta ndaj piraterisë kërkon bashkëpunim ndërkombëtar, pasi fenomeni nuk kufizohet brenda territorit kombëtar.
“Gjatë vitit 2025, u identifikuan dhe janë marrë masa për mbylljen e 10 serverave që operonin brenda territorit të Shqipërisë dhe shpërndanin përmbajtje audiovizive pa të drejta. Por kemi shkuar edhe më tej. Po gjatë këtij viti, janë identifikuar katër servera që kishin vendndodhje jashtë vendit tonë, pra ishin jashtë juridiksionit shqiptar, në Rumani, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Francë, për të cilët, në bashkëpunim me ofruesit ndërkombëtarë të shërbimeve të hostimit, u arrit bllokimi i këtyre serverave. Pavarësisht se nuk i kemi instrumentet e plota ligjore, ky është një tregues i qartë se lufta ndaj piraterisë nuk kufizohet brenda kufijve kombëtarë, por kërkon koordinim të vazhdueshëm ndërkombëtar”, u shpreh Krasniqi.
/tvklan.al












Botërori 2026 