8 shtator 2026 – Administrata e Dhomës Civile dhe asaj Penale në Gjykatën e Tiranës ka bojkotuar për disa orë punën, në shenjë proteste për çështjen e pagave.

Sipas gazetares së Klan News, Glidona Daci, gjatë kësaj të marte janë bllokuar shërbimet për qytetarët, ndërsa janë pezulluar edhe seancat gjyqësore. E gjitha kjo, në shenjë paralajmërimi.

Punonjësit presin një reagim të shpejtë nga institucionet dhe paralajmërojnë se, nëse nuk do të ketë zgjidhje për kërkesat e tyre, bojkoti mund të jetë i plotë.

“Më herët, vetëm punonjësit e sigurisë kanë qëndruar brenda ambienteve, ndërsa pjesa tjetër e stafit ka dalë jashtë, në oborr”, bëri me dije gazetarja.

Ndërkohë, në orën 15:00, kryetarët e gjykatave do të zhvillojnë një mbledhje (pa praninë e medieve) në Gjykatën e Lartë, ku pritet të diskutohet pikërisht kjo çështje dhe të dilet me një qëndrim.

“Situata ka sjellë ndërprerjen e punës nga punonjësit e administratës, të cilët kundërshtojnë faktin se vijojnë të mbeten pa marrë pagat, pavarësisht detyrimeve që institucionet shtetërore kanë ndaj tyre.

Bojkoti rrezikon të sjellë pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin normal të gjykatës, pasi administrata është hallkë thelbësore për regjistrimin dhe administrimin e çështjeve, komunikimin e akteve, vënien në dispozicion të vendimeve dhe dokumentacionit, si dhe një sërë shërbimesh të tjera për qytetarët dhe avokatët.

Situata bëhet edhe më problematike për faktin se punonjësit e administratës gjyqësore nuk janë palë në konfliktin institucional që ka lindur lidhur me çështjen e pagave të magjistratëve. Megjithatë, pasojat e bllokimit kanë prekur drejtpërdrejt edhe administratën”, shkruan në rrjetet sociale avokati Arben Llangozi, krahas pamjeve nga oborri i institucionit.

Në një reagim të bërë një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese rikujtoi se për çështjen e pagave të magjistratëve është shprehur me vendimin e datës 17 shkurt të këtij viti, duke theksuar se vendimi është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim.

Ngërçi për pagat e magjistratëve nisi pas 31 korrikut, datë kur skadoi afati i lënë nga Kushtetuesja për miratimin nga Kuvendi të formulës së re të pagave.

Në mungesë të ndërhyrjes së Kuvendit, KLGJ dhe KLP vendosën të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke rritur pagën referuese të magjistratëve nga 156 mijë e 800 në 222 mijë e 425 lekë, si dhe duke ruajtur shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. Por listëpagesat e përllogaritura sipas kësaj skeme nuk u ekzekutuan nga Ministria e Financave, e cila argumentoi se përcaktimi i formulës së pagave i takon Kuvendit dhe kërkoi që pagat të ridërgoheshin sipas metodologjisë së mëparshme.

Për pasojë, pagat e gushtit mbetën të bllokuara për gjyqtarë e prokurorë, por edhe për punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive, duke sjellë situatën e krijuar tashmë.

Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi se “dera e Thesarit të Shtetit”, ku kanë mbetur të bllokuara pagat e institucioneve të drejtësisë, nuk mund të hapet me forcë. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha se ngërçi pritet të zgjidhet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar.