Në Këshillin Atlantik, komisionerja për zgjerimin Marta Kos ka deklaruar se është e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030 ose edhe më herët.
“Në Ballkanin Perëndimor, kemi dy kandidatë kryesorë, Malin e Zi që shpreson të mbyllë të gjitha kapitujt e tij deri në fund të këtij viti, dhe pastaj Shqipërinë që ka shprehur vendosmërinë për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit të ardhshëm.
Zakonisht, ne nuk caktojmë data në procesin e zgjerimit, sepse ky proces është i bazuar në meritë.
Pra, varet se si po i arrijnë rezultatet shtetet kandidate. Por sigurisht, ne mbështesim objektivat e tyre ambicioze. Së pari, Mali i Zi, me 650 mijë banorë, mund të bëhet shteti anëtar i 28-të i BE-së. Është gjithashtu e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030 ose edhe më herët.”, tha ajo.
Kos shprehet se shtetet anëtare nuk kanë pranuar alternativa të tjera veç rregullave aktuale, ku pranimi i një shteti të ri në BE nuk do të anashkalojë asnjë nga kriteret aktuale në fuqi.
“Unë po udhëtoj nëpër të gjithë Evropën, në shtetet anëtare, dhe ajo që kemi marrë nga angazhimi me to është se ata të gjithë duan që ne të vijojmë me parimin e bazuar në meritë, që do të thotë se nuk mund të bëhesh anëtar i BE-së nëse nuk i përmbush kriteret, dhe veçanërisht në sundimin e ligjit, në të ashtuquajturit kapitujt e themeloreve, që janë sundimi i ligjit, pastaj antikorrupsioni, liria e medias, liria e shprehjes, dhe e vlerësoj shumë këtë.
Mendoj se nuk mund të përballojmë të kemi një shtet të ri anëtar që do të na dobësojë. Ne nuk jemi një grup miqsh, ne jemi një bashkësi vlerash, dhe sapo një shtet dëshiron të jetë pjesë e kësaj bashkësie vlerash dhe të gjitha përfitimeve, duhet të sillet mirë dhe duhet të jetë një djalë i mirë, jo një djalë i keq. Ne duhet të ndjekim edhe interesat e shteteve anëtare, shqetësimet e tyre.”, tha më tej komisionerja.
Kos rikthen tezën e saj të kohëve të fundit për moslejimin në BE të shteteve që mund të shërbejnë si kuaj troje.
“Duhet të bëjmë gjithçka që të mos kemi ‘Kuaj Trojanë’ brenda Bashkimit Evropian. Për këtë, traktatet e reja të pranimit do të kenë një pjesë të veçantë me masa mbrojtëse për shtetet e reja anëtare, të cilat nuk do të respektojnë traktatet dhe vlerat evropiane. Dhe sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm se në disa vende, në fund të procesit të pranimit, do të duhet të zhvillohet një referendum, po flas për Francën, ose ju duhet një shumicë prej tre të pestash në parlament.= Pra, çfarëdo që ne të bëjmë në procesin e pranimit, duhet të kujdesemi gjithashtu që shtetet anëtare të jenë në gjendje të konfirmojnë anëtarët e rinj.”, shtoi ajo.
Në fund, Kos shpreson se KE do të ketë mundësi që për zgjerimin të mund të përdoret në vijim shumica e kualifikuar në procesin e vendimmarrjes.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
