27 prill 2026 – Ka përfunduar pas afro 4 orësh mbledhja me dyer të mbyllura e kryeministrit Edi Rama me deputetë dhe ministra në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

“Informohuni në detaje për procesin e integrimit në BE! Flisni me njerëzit”, mësohet se ka qenë porosia kryesore e tij.

Kreu i qeverisë e ka deklaruar shpesh se sfida kryesore në këtë proces, që po ecën me ritëm të shpejtë, është siguria ushqimore. Sigurisht, ka kërkuar punë intensive në këtë drejtim.

“Flisni me fermerët dhe bizneset”, mësohet të ketë thënë ai.

U ka kërkuar po ashtu deputetëve të jenë aktivë në rrjetet sociale, ku bëhen publike punët e realizuara në qytete. I rëndësishëm për numrin një të kabinetit mbetet bashkëpunimi i ngushtë mes socialistëve, me prioritet zgjidhjen e problematikave të qytetarëve.

Gazetarja e politikës në Klan News, Greta Bullari, raportoi më herët se në Grupin Parlamentar të PS kanë raportuar gjashtë drejtues politikë të qarqeve. Konkretisht, drejtuesit e qarkut të: Dibrës, Beratit, Fierit, Elbasanit dhe Durrësit. Drejtuesi i qarkut të Tiranës ka folur specifikisht për turin e nisur nga socialistët “Punët e Shqipërisë”, por edhe mbi problematikat që janë hasur në terren gjatë takimit me qytetarët.

Ka pasur edhe një bllok të dytë raportimesh, të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe kryenegociatores Majlinda Dhuka, sa u takon negociatave të anëtarësimit në BE.

Kjo mbledhje e zgjeruar erdhi në një kohë kur qeveria ka dorëzuar në Kuvend raportin për ecurinë e procesit të anëtarësimit e ndërsa Shqipëria pret miratimin e pikave të ndërmjetme IBAR për të vijuar me mbylljen e kapitujve.