Kryeministri Edi Rama, në podkastin e tij të së dielës, “Flasim”, ka bërë një përmbledhje të javës, duke u ndalur tek zhvillimet e politikës së jashtme dhe forcimin e marrëdhënieve strategjike, ashtu edhe tek nismat për zhvillimin rural, mbështetjen e sipërmarrjes dhe garantimin e standardeve europiane në sigurinë ushqimore.
Vizita në Abu Dhabi dhe Forumin e Delfit, Rama: Forcojmë aleancat me shumë projekte
Fillimisht, Rama u ndal tek vizita e tij në Abu Dhabi, duke e cilësuar si solidaritet të Shqipërisë ndaj Emiratave të Bashkuara lidhur me ngjarjet e fundit nga konflikti i Iranit.
“Këtë javë pata një vizitë të shkurtër në Abu Dabi dhe më pas edhe në Greqi. Dy ndalesa që lidhen me dy aspekte të marrëdhënies dhe të pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë. Në Abu Dabi shkova për të takuar një mik shumë të çmuar dhe të sprovuar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por edhe një lider nga më të respektuarit sot botërisht që kam nderin ta konsideroj edhe mikun tim, presidentin Sheikh Mohammed Bin Zayed, në një moment shumë të ndjeshëm për vendin e tij dhe për atë rajon të përfshirë në një konflikt si rezultat i sulmit ndaj regjimit kriminal të Teheranit. Ishte një vizitë solidariteti, një vizitë për të konfirmuar vëllazërinë që na lidh me atë vend dhe me ato vende dhe nga ana tjetër edhe besimin se Emiratet do ta kalojnë këtë fazë dhe do të dalin më të forta nga kjo sfidë e madhe“, tha ai.
Më tej, shtoi se Emiratet e Bashkuara janë aleatë të Shqipërisë.
“Nuk ekzagjeroj asgjë kur them se presidenti i Emirateve të Bashkuara është një mik i vyer dhe i sprovuar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, pasi qysh në rininë e tij ai ka ardhur në Shqipëri jo për turizëm dhe as për një takim formal, por për të udhëhequr grupin e dërguar nga i ati, i ndjeri Sheikh Zayed në ndihmë të atyre shqiptarëve që braktisën shtëpitë e tyre në Kosovë dhe u dyndën në Shqipëri e qëndruan në një masë të madhe në Kukës, për të ikur nga makineria vrastare e Slobodan Milosheviçit. Dhe qysh atëherë më pas me atë vend, me atë popull dhe me atë njeri të madh është ndërtuar një marrëdhënie që në 10 vitet e fundit ka marrë një përmasë krejt tjetër. Ishte pikërisht Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheiku Mohammed bin Zayed, i cili urdhëroi disbursimin e fondit më të madh të solidaritetit me Shqipërinë pas tërmetit dhe me atë fond është ndërtuar një lagje e tërë model në Durrës. Nga ana tjetër, me Emiratet e Bashkuara na lidhin edhe punë dhe projekte të karakterit strategjik, por edhe të një natyre që kanë të bëjnë me rritjen dhe forcimin e Shqipërisë në rrugën e modernizimit të saj. Më vjen shumë mirë të konfirmoj se nga ana e Presidentit dhe nga ana e udhëheqjes së Emirateve të Bashkuara edhe një herë tjetër mora një energji jashtëzakonisht pozitive për Shqipërinë dhe konfirmimin se miqësia jonë bëhet më e fortë dhe se aleanca jonë do të fuqizohet hap pas hapi me më shumë bashkëpunim, më shumë projekte dhe me më shumë afrimitet mes shteteve dhe popujve tanë“, tha ai.
Sa i përket vizitës së tij në Greqi për Forumin e Delfit, Rama u ndal tek takimi i tij me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis. Kryeministri u shopreh se Mitsotakis mbetet një mik i vyer i Shqipërisë dhe se brenda vitit mund të adresohen të gjitha çështjet e mbartura mes dy vendeve dhe të forcohen marrëdhëniet.
“Ndalimi në Athinë ishte i një natyre tjetër, por përsëri i lidhur me sa thashë në krye të herës, me pozicionin e Shqipërisë dhe me dëshirën për ta parë Shqipërinë të përfaqësuar në nivelin më të lartë dhe për të dëgjuar qëndrimet dhe opinionet tona, posaçërisht në këtë rast, në një forum ekonomik me një reputacion dhe prestigj ndërkombëtar, ku për shkak të fqinjësisë dhe të historisë Shqipëria kishte një vend të posaçëm në atë platformë, ku diskutohen drejtimet kryesore të zhvillimit global, por edhe të atij rajonal dhe në këtë rast edhe të marrëdhënies me vendin fqinj. Shkova për të marrë pjesë në forum, por pata kënaqësinë që të pritesha nga kryeministri i Greqisë dhe një mik i vyer, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin bëmë një bilanc të ecurisë së punës së grupit të përbashkët që kemi ngritur për t’i dhënë një herë e mirë përgjigje të gjitha çështjeve të mbartura dhe për ta çuar në një nivel të ri marrëdhënien ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Më vjen shumë mirë të them se nga ana e kryeministrit ka një vullnet absolut për të bërë pikërisht adresimin me prioritet të të gjitha çështjeve të bartura për të konfirmuar brenda këtij viti, përmes një dokumenti të ri të partneritetit strategjik, natyrën shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve dhe nga ana tjetër për ta mbështetur Shqipërinë si gjithmonë, me përjashtim të ndonjë momenti të vështirë, në rrugën e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian. Dhe, thënë të gjitha këto, jam shumë optimist dhe njëkohësisht jam shumë besimplotë se falë edhe angazhimit personal të kryeministrit, Mitsotakis ne do të dimë të adresojmë çështjet e mbartura dhe do të forcojmë edhe më shumë marrëdhënien tonë përmes një kujdesi të posaçëm, qoftë për minoritetin grek në Shqipëri, qoftë për shqiptarët në Greqi“, tha ai.
Rama ftesë për Paketën e Maleve: Koha do më japë të drejtë, investimi do kthehet në mbarësi
Sa i përket fushatës “Paketa e Maleve”, kreu i qeverisë bëri thirrje që të gjithë të angazhohen e të investojnë në tokat e tyre, pasi ato “do të kthehen në mbarësi”.
“Shënimi tjetër lidhet jo me një ngjarje, por me një program, një program kombëtar i cili ka filluar tanimë të formësohet përmes një numri mbresëlënës interesimesh dhe aplikimesh, në radhë të parë nga vëllezërit dhe motrat tona jashtë Shqipërisë, që falë këtij programi po e kthejnë kokën nga Shqipëria, jo thjesht për t’u interesuar siç kanë bërë gjithmonë për ecurinë e punëve apo për ecurinë e jetës në familjet e tyre, por për të investuar kursimet e tyre. Paketa e maleve! Paketa e maleve po hap një rrugë të re në zhvillimin rural dhe po krijon premisat për një vlerë të shtuar, për një motor të ri në industrinë e turizmit tonë, duke i dhënë maleve, duke i dhënë Shqipërisë malore një përmasë të re, përmes kthimit të tokës dhe të shtëpive të gjyshërve në instrumente të zhvillimit dhe në mundësi të reja reale për të krijuar sipërmarrje dhe për të krijuar të ardhura, pa diskutim, më të larta sesa ato që mund të krijohen duke punuar për të tjerët jashtë vendit. Procesi është bërë i thjeshtë, është bërë i aksesueshëm. Investimi mund të nisë pa titullin përfundimtar të pronësisë. Për këtë është krijuar paketa e maleve, për të adresuar edhe një problematikë të mbartur nga vitet në territore të mrekullueshme ku pronarët legjitimë nuk gëzojnë titujt e pronësisë sepse nuk e kanë pranuar ligjin 7501 dhe ndërkohë nuk kanë konflikte mes tyre. Dhe përmes investimit ata do të mund të sigurohen se në fund të procesit, ku do të kenë edhe lehtësira domethënëse fiskale, për shembull, 500 të parët që do të marrin lejen për të filluar punën do të përjashtohen për 10 vjet nga taksat, ata do të kenë edhe titullin e pronësisë. Kështu që, për të gjithë ata që më dëgjojnë dhe që janë të interesuar apo janë të dyzuar apo janë dyshues, provoni paketën e maleve. Provoni paketën e maleve! Provoni paketën e maleve dhe është pak, por e sigurt që në rast se do të hapni derën e shtëpisë së vjetër të gjyshit dhe do të rindizni oxhakun në atë shtëpi apo do të krijoni një fermë të vogël, një pikë agropërpunimi diku në një tokë që është larg territoreve të qyteteve, koha do të më japë të drejtë, do të na japë të drejtë dhe ju do të jeni të lumtur me atë hap që hidhni sot. Sepse investimi do t’ju kthehet në mbarësi dhe në mirësi për familjet tuaja, por në të njëjtën kohë do të jetë edhe një kontribut për Shqipërinë“, tha ai.
“Dyfisho ndërmarrjen tënde” do të nisë rrugëtimin
Lidhur me programin e ri qeveritar, “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, së shpejti do të nisë rrugëtimin e saj pasi pritet që të firmoset me Bankën e Shqipërisë dhe institucionet bankare të nivelit të dytë.
“Dyfisho ndërmarrjen”, vjen si një ndihmë për të gjithë ata të cilët duan të zgjerojnë biznesin e tyre, por nuk kanë kapacitetet financiare për ta bërë një gjë të tillë. Kështu, me këtë program, synohet garantimi i kredisë nga vetë shteti.
“Pas Paketës së Maleve vjen edhe një program i ri i qeverisë së Shqipërisë, së bashku me Bankën e Shqipërisë dhe me bankat e nivelit të dytë, i cili së shpejti do të firmoset për të nisur rrugëtimin e tij dhe për të pritur në këtë rrugëtim të gjithë ata, të cilët duan të dyfishojnë ndërmarrjen e tyre. Një program i fuqishëm kreditimi me interesa më të arsyeshme sesa ato komerciale të bankave të nivelit të dytë dhe me garanci nga qeveria e Shqipërisë, po bëhet më në fund gati për t’i shërbyer të gjithë atyre shqiptarëve dhe shqiptareve që me kurajë, me vullnet, por edhe me largpamësi kanë zgjedhur të hapin rrugën përmes sipërmarrjes; kanë zgjedhur të krijojnë një biznes të vogël i cili tanimë është gati të rritet, por ka nevojë për mbështetjen financiare që përndryshe ata nuk mund ta sigurojnë dot. Kjo është një rrugë e re dhe së shpejti, të gjithë ata që kanë një ndërmarrje të vogël apo të mesme, të gjithë ata që kanë një pikë prodhimi, që duan ta dyfishojnë dhe ta rrisin, të gjithë ata që kanë një start-up dhe që duan ta transformojnë në një ndërmarrje prodhuese, fitimprurëse, do të kenë të hapur derën e programit “Dyfisho ndërmarrjen tënde”“, tha Rama.
Siguria ushqimore, Rama: Keqkuptohet si listë detyrash për të tjerët, por lidhet me shëndetin
Së fundmi, Rama u ndal tek çështja e sigurisë ushqimore. Ai theksoi se ky proces nuk është thjesht si një detyrë për anëtarësimin në unionin evropian, por lidhet me garantimin e shëndetit tonë.
“Në fokus të kësaj jave ka qenë ajo që do të jetë në fokus të të gjitha javëve më pas, në një mënyrë a një tjetër, siguria ushqimore dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Europian. Në një takim të organizuar me operatorët e sipërmarrjes ushqimore, ne u ndalëm në një temë shumë konkrete. Si do të garantojmë që çdo produkt që konsumojnë qytetarët, jo thjesht të jetë i sigurt, por të jetë një produkt i pranuar dhe i suksesshëm në tregun e nesërm të përbashkët të Europës, ku ne do të jemi anëtarë me të drejta, por edhe me detyrime të barabarta. Dhe kjo lidhet me një sfidë aktuale më të ndërlikuar të procesit tonë të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që është sigurimi i të nesërmes për të gjithë ata, të cilët kanë ndërtuar të sotmen mbi themelet e një pike grumbullimi, përpunimi apo prodhimi të nënprodukteve ushqimore, që do të thotë që nga gjëja e gjallë deri te produktet e paketuara. Një proces që shpesh keqkuptohet si një listë detyrash që duhen përmbushur për të tjerët, ndërkohë që në thelb është diçka që lidhet drejtpërdrejt, jo thjesht vetëm me shëndetin e shqiptarëve këtu në Shqipëri, e konsumatorëve këtu në Shqipëri, por edhe me misionin tonë të përbashkët kombëtar të Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030. Nuk është një çështje rregullash në letër, është një çështje e ndërtimit bashkërisht të një sistemi funksional prodhimi, kontrolli, cilësie dhe besimi në çdo hallkë. Në këtë fazë, Shqipëria nuk bën vetëm harmonizimin ligjor me Bashkimin Europian, por edhe duhet të sigurojë zbatimin konkret të ligjeve në realitetin e përditshëm. E prandaj, ne po ndërveprojmë dhe do të ndërveprojmë gjithmonë e më aktivisht me sipërmarrësit dhe sipërmarrjet në bujqësi, sipërmarrësit dhe sipërmarrjet që kanë të bëjnë me produktet shtazore dhe nënproduktet e tyre, sipërmarrësit dhe sipërmarrëset që kanë të bëjnë me gjithçka që sot del nga toka e Shqipërisë, falë punës dhe duarve të tyre të arta“, përfundoi Rama.
/tvklan.al












Botërori 2026 