Kryeministri Edi Rama mbajti sot në 14 qershor podcastin e tij “Flasim”, ku komentoi zhvillimet e fundit lidhur me aktualitetin, çështjen e Zvërnecit si dhe protestat qytetare, të cilat ditën e djeshme shënuan ditë e 14-të.
Duke ngritur vetë pyetjen se përse Vlora nuk proteston për Zvërnecin, kryeministri u shpreh se Vlora nuk proteston, sepse e do zhvillimin.
“Vlora nuk del në protestë, sepse e do zhvillimin”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se protestat janë duke goditur turizmin.
“Protestat janë duke ndikuar negativisht në turizëm. Sezoni duhet që mos dëmtohet, sepse dëmtohet ekonomia lokale e kombëtare në tërësi. Por këtë gjë nuk e arrijnë. OJanë anuluar shumë rezervime dhe nëse e dëmtojmë vetë turizmin do të ishte e rëndë”, tha Rama.
Më tej, u shpreh se ka parë me keqardhje reagimet në koncertin e Ylli Limanit.
“E kanë masakruar me sharje e kërcënime që të anulojë koncertin dhe që njerëzit mos të kenë kënaqësi që të kenë moment të mirë. Ky është bullizëm. Ka dhe njerëz që kanë mendim ndryshe nga protestat. Në këtë mozaik, ka dhe një frymë fashiste. Fryma fashiste nuk ka nevojë për armë e uniforma. Fryma fashiste është që Shqipëria është e shqiptarëve, pra të tjerët nuk qenkan të mirëseardhët. Kjo është njësoj si idetë e Hitletit. Imponojnë të tjerët, që nuk duhet të shkojnë në koncert, nuk duhet të pijnë kafe, nuk duhet të punojnë etj”, u shpreh kreu i qeverisë.
U ndal edhe tek 35-vjetori i Partisë Socialiste. Tha se PS e ka ndryshuar Shqipërinë.
“35-vjetori i PS-së e gjen Shqipërinë më mirë se ç’ka qenë ndonjëherë. Shqipëria do të bëhet ende shumë më e mirë nga se është dhe këtë mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste. Protesta vetëm po dëmton Shqipërinë në ekonomi dhe në imazh. Llapa-qorrët vazhdojnë të protestojnë haptazi aty. Protesta po vijon me dezinformim, ka bullizëm, kërcënim, presion dhe denigrim të tjetrit. Shqipëria nuk mund të ecë përpara duke u paralizuar nga frika nga një projekt i madh, prej një investimi që është më i madhi i vendit tonë. Partia Socialiste ia ka ndryshuar fytyrën Shqipërisë. Mjafton të kthejmë kohën mbrapa dhe mund të shohim sesi ka qenë Shqipëria në ekonomi, në turizëm dhe në imazhin që kemi pasur në raport me botën. Shqipëria është duke u afruar më shumë se kurrë me objektivin historik, atë të integrimit europian”, deklaroi Rama.
Komentoi faktin që arsimi profesional po bëhet gjithmonë e më tepër zgjedhje e të rinjve.
“Arsimi profesional sa vjen dhe bëhet më tërheqës për të rinjtë. Kjo, sepse garanton një zanat, i cili është kaq të rëndësishëm për fazën ku ndodhet Shqipëria. Venjdi po transformohet në turizëm e fusha të tjera, ku sigurisht që ka nevojë për profesionistë të fushës”, u shpreh Rama.
Gjithashtu, Rama deklaroi se Shqipëria është shpallur vend lider në Ballkan sa i përket transparencës buxhetore. Sipas tij, kjo dëshmon se qeveria është e hapur ndaj publikut në investimet që bën.
“Shqipëria është e para në Ballkan për transparencën buxhetore. Ky është një tjetër tregues, se vendi ynë ka një qeveri të përgjegjshme, që mendon për qytetarët dhe informon ata se ku shkojnë paratë publike. Vendi ynë do arrijë jo kaq, por edhe shumë më shumë. Transparenca dhe projektet e mëdha janë pjesë integrale e punës së qeverisë, për të pasur sa më shumë financa në vend dhe rritje sa më të madhe ekonomike”, deklaroi kryeministri.
/tvklan.al












Botërori 2026 
