Lionel Messi bëri mrekullinë e radhës duke ndihmuar Argjentinën të kualifikohej në çerekfinalet e Botërorit pas një përmbysjeje dramatike me Egjiptin. Argjentinasit ishin në disavantazh deri në minutat e fundit, por kurrë nuk i humbën shpresat duke e fituar me rezultatin 3 – 2 takimin.
Rezultati u zhbllokua në të 13-ën me golin e Ibrahim për egjiptianët. Messi humbi një penallti, duke vendosur një rekord negativ.
Askush nuk kishte dështuar në dy 11-metërsha gjatë një Botërori. Egjiptit iu anulua edhe një gol i Zico në pjesën e dytë, për faull ku nisi aksioni, por ishte sërish ai i cili realizoi disa minuta më vonë.
Trajneri Scaloni aktivizoi Lautaro Martinez, duke i dhënë më ritëm lojës. Romero ngushtoi diferencën në të 80’ duke shfrytëzuar një pasim të Messi.
Kapiteni argjentinasve barazoi rezultatin 4 minuta më vonë. Goli i tetë në këtë Kupë Bote për të dhe i 21 në total, ndërsa u bë lojtari i vetëm që shënon në 6 ndeshje me eliminim direkt radhazi.
Enzo Fernandez realizoi golin e fitores në minutën e 92’, pas një aksioni të nisur nga Lautaro Martinez. Argjentina vijon kështu në objektivin e saj, mbrojtja e titullit, ndërsa në çerekfinale do të luajë me Zvicrën. Trajneri Lionel Scaloni tha se kjo fitore ka shumë rëndësi për ta.
“Sa i përket ndeshjes së sotme, sinqerisht, nuk dua ta zmadhoj apo të sillem sikur kemi arritur në një finale, por rëndësia e kësaj dite është e krahasueshme me shumë prej momenteve të mëdha që kemi përjetuar”, tha trajneri i Argjentinës, Scaloni.
Nga ana e Egjiptit pati akuza të forta për gjykimin, ndërsa është bërë një ankesë në FIFA.
“Kur lojtari ynë u tërhoq brenda zonës, një aksion më pas përfundoi në gol për kundërshtarin dhe rezultati shkoi 2-1, arbitri as nuk u mundua ta shikonte në VAR. Arbitri nuk u mundua as të shkonte tek ekrani i VAR-it. Por VAR-i ishte aty për të anuluar golin tonë. Bota nuk është e drejtë”, tha trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan.
Zvicra eliminoi Kolumbinë pas penalltive. Koha e rregullt dhe pjesët shtesë u mbyllën pa gola me një lojë të ekuilibruar dhe të kujdesshme nga të dy ekipet. Te 11-metërshat zviceranët ishin më të saktë ku i pari goditi Granit Xhaka.
Në serinë e penalltive vendimtar ishte portieri Kobel, ndërsa gabimet e Sanchez dhe Hernandez i kushtuan eliminimin Kolumbisë. Zvicra arrin kështu çerekfinalet e Botërorit pas 72 vitesh. Këto ndeshje i ndoqët në TV Klan.
/tvklan.al












Botërori 2026 