Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në SHBA të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Në këtë takim, Kurti ka njoftuar se ka ngritur çështjen e dënimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai ka thënë se ka shprehur shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta, duke kërkuar që aktgjykimi të korrigjohet në shkallën e dytë të Apelit.
“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në Apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, ka shkruar Kurti.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës ka thënë se me Pierce gjithashtu ka biseduar për zhvillimet politike e të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
“E falënderova për qëndrimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe vlerësova mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, statusi i vendit kandidat për BE dhe thellimin e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje ishin po ashtu pjesë e diskutimit të sotëm me znj. Pierce”, ka thënë Kurti.
Kujtojmë se Shkalla e Parë e gjykimit në Hagë ka dënuar në total me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së. Hashim Thaçi u dënua me 25 vite burg, Jakup Krasniqi po me 25, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burg.
/tvklan.al












Botërori 2026 
