23 shtator 2026 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën, ndërsa sqaroi se afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit përfundon më 6 tetor.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Gjykata tha se afati 60-ditor ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Njoftimi i Gjykatës më të lartë në vend vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kontestoi si konstituimin e Kuvendit, ashtu edhe formimin e Qeverisë. Kushtetuesja po ashtu rrëzoi kërkesën për vendosjen e një mase të përkohshme ndaj punimeve të Kuvendit.

Sa i përket Kuvendit, i cili u konstituua më 13 shtator dhe disa orë më vonë zgjodhi edhe Qeverinë e re, Kushtetuesja tha se deputetët duhet të zgjedhin edhe nënkryetarin e dytë. Gjykata konstatoi se organi ligjvënës u konstituua përtej afatit 30-ditor.

Më 13 shtator, në mungesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe të komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit.

Më vonë gjatë së njëjtës ditë u votua edhe Qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti. Kabineti qeverisës është i njëjti me atë të qeverisë së kaluar. Në seancën për zgjedhjen e Qeverisë nuk ishin të pranishëm deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.

Si u konstituua Kuvendi?

Në një aktgjykim të mëparshëm, Kushtetuesja kishte përcaktuar se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit zgjedhor. Ky afat përfundoi më 7 gusht.

Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të qershorit, kishte argumentuar se afati 30-ditor kishte nisur më 6 gusht, kur ishte mbajtur seanca konstituive. Megjithatë, edhe ky afat u tejkalua, ndërsa LVV-ja argumentoi se përpara se të procedohej me konstituimin e Kuvendit duhej të arrihej një marrëveshje për çështjen e presidentit.

Seanca nisi më 6 gusht, por u ndërpre menjëherë pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për bisedime lidhur me çështjen e presidentit. Një kërkesë të ngjashme ai e bëri edhe në vazhdimin e radhës të seancës, i cili u mbajt pas 48 orësh.

Kuvendi nuk e vazhdoi seancën deri më 9 shtator, kur deputetët u mblodhën dhe rizgjodhën në krye të organit ligjvënës Albulena Haxhiun. Megjithatë, në atë seancë, për shkak të mospajtimeve, nuk u zgjodhën pesë nënkryetarët.

Në vazhdimin e seancës më 11 shtator, u zgjodh nënkryetari nga radhët e LVV-së, Ardian Gola, por jo edhe Vlora Çitaku e PDK-së, fuqisë së dytë politike në vend.

LVV-ja tha se nuk mund të jepte votat për Çitakun dhe Kujtim Shalën e LDK-së, të cilët, sipas saj, synonin ta çonin vendin në zgjedhje.

Më vonë, LVV-ja ndryshoi qëndrim dhe, më 13 shtator, votoi për Shalën në postin e nënkryetarit. Ndërkohë, PDK-ja tha se kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën për nënkryetar dhe paralajmëroi se do ta dërgonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo ndodhi më pas.

Gjatë seancës së 13 shtatorit u zgjodhën edhe dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve joshumicë./Marrë nga REL


/tvklan.al