Ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, përmes të cilit ndalohet çdo vendim i deputetëve të zgjedhur lidhur me vijimin e seancës konstituive. Masa e përkohshme ka kohëzgjatje deri më 8 gusht 2025.

Çdo vendim deri në vendimmarrjen lidhur me situatën në Kuvend, sipas kësaj gjykate, mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve të saj.

Edhe dy përpjekjet e fundit të deputetëve, ditën e shtunë, për të konstituuar Kuvendin e Kosovës dështuan. Në total u regjistruan plot 54 tentativa pa rezultat për mungesë të konsensusit politik.

Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti.

Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhje me 48 mandate, këmbënguli deri në fund me kandidaten e saj për kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu, emër ky i papranueshëm për partitë e tjera politike.

Edhe diplomatët e huaj kishin shpresuar që deputetët ta vënë përpara interesin për shtetin, e jo për partitë politike. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se “Kosovës i duhet një Kuvend menjëherë”, duke theksuar më pas nevojën “për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin”.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili vlerësoi se “klasa politike po dështon përballë qytetarëve”. Paqartësia për pasojat juridike vazhdon, ndërsa deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, Kosova nuk do të ketë institucione të reja.

Klan News

/tvklan.al