Ndryshon Kodi Rrugor, shoferëve të rinj u ndalohet plotësisht alkooli
Deputetët e Kuvendit miratuan gjithashtu ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të propozuara nga deputetët socialistë Ulsi Manja dhe Erion Braçe. Paketa e ndryshimeve u votua me 84 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kufizimet për drejtuesit e rinj të mjeteve në lidhje me konsumimin e alkoolit. Sipas dispozitave të reja, shoferët që kanë deri në dy vite eksperiencë në drejtimin e automjetit nuk do të lejohen të konsumojnë alkool para ose gjatë drejtimit të mjetit.
Ligji i ri përcakton se niveli i lejuar i alkoolit në gjak për këtë kategori drejtuesish duhet të jetë 0.0 për qind, duke vendosur një standard më të rreptë për sigurinë rrugore.
Po ashtu, ndryshimet e miratuara parashikojnë edhe rastet kur një drejtues mjeti mund të humbasë përjetësisht patentën. Kjo masë do të zbatohet ndaj shoferëve përsëritës që kapen duke drejtuar mjetin me nivel alkooli mbi 0.5 gram për litër gjak.
Amnistia penale merr dritën jeshile në Kuvend, Lamallari: Mundësi e dytë për integrim në shoqëri
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të enjte, 18 qershor, me 84 vota pro projektligjin për amnistinë penale, një nismë kjo e hartuar që në muajin janar nga Këshilli i Ministrave.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, e ka cilësuar këtë vendim si një lajm të mirë dhe të shumëpritur për shumë familje shqiptare.
Ai theksoi se ky hap do të lejojë që kryefamiljarë, gra dhe të mitur të bashkohen me njerëzit e tyre të dashur, duke pasur nevojë për mbështetjen e shoqërisë pa gjykim apo stigmatizim. (Lexo më shumë)
Kuvendi miraton me 84 vota pro amnistinë penale
Pas tensionit dhe bojkotit të foltores për të katërtën herë radhazi, Kuvendi votoi këtë të enjte, 18 qershor, me 83 vota pro amnistinë penale. Deputetët e mazhornacës ngritën kartonin jeshil për amnistinë e cila do u japë lirinë e menjëhershme nga burgu 466 personave, nga të cilët 11 janë gra dhe vetëm një i mitur. Ndërkohë , 869 persona do të përfitojnë ulje dënimi, mes tyre 8 gra dhe 1 i mitur.
I pranishëm në Kuvend ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili erdhi për të votuar amnistinë penale, kurse deputetët e opozitës bojkotuan votimin dhe nuk është e pranishme në sallë.
Nga amnistia do të përfitojnë burrat që deri më 31 maj 2026 janë dënuar me vendim të formës së prerë deri në 3 vite burg ose u ka mbetur pa shlyer 3 vite, apo gratë që janë dënuar apo u ka mbetur pa shlyer 4 vite burg deri më 31 maj do të lirohen menjëherë”.
Amnistia penale votohet në 18:30
Pas tensioneve dhe ndërprerjeve të seancës së sotme plenare, mazhoranca propozoi që amnistia penale të votohet në orën 18:30.
Opozita nuk ishte dakord, gjë që krijoi tensione të tjera, ndërsa mazhoranca votoi pro këtij propozimi.
Kuvendi LIVE
Rinis me tensione seanca plenare, opozita rrethon foltoren
Ka rinisur me tensione seanca plenare, pasi opozita ka bllokuar foltoren duke mos lejuar Ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha të mbajë fjalën e tij.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i është shprehur demokratëve të respektojnë rregulloren, t’i lejohet e drejta e fjalës ministrit dhe të vijohet normalisht me seancën.
Peleshi u shpreh gjithashtu se e drejta e fjalës respektohet për të gjithë, teksa iu drejtua demokratëve “Të drejtën e fjalës më duket nuk e doni vetë sot”, referuar bllokimit që i kanë bërë foltores.
Më tej, kryeparlamentari u shpreh me humor se “çuditërisht foltoren e ka bllokuar Bozdo, nuk është as në natyrën e tij”.
“Zoti Bozdo, me të vërtetë e mendoni këtë? Nuk e mendoni se ka një skenar pas këtij bllokimi”, u shpreh më tej Peleshi.
“Keni skenar që të prishni seancën”, nis me përplasje Kuvendi
Ka nisur seanca, ku sërish ka pasur përplasje mes palëve. Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi tha se fjalën e ka ministri i Jashtëm Ferit Hoxha.
Ndërsa, deputetët e opozitës bllokuan Foltoren.
Niko Peleshi: Ju lutem, mos e prishni seancën. Dëgjoni fjalën e ministrit dhe merrni fjalën për procedurë. Keni skenar që të prishni seancën.
Deputetët e opozitës: Zbato rregulloren. Nuk i hiqet fjala opozitës.
Peleshi kërkoi 1 orë pushim.
Amnistia penale pritet të miratohet sot
Amnistia penale do të miratohet sot më 18 qershor në parlamentin e Shqipërisë. Ministri i Drejtësisë Toni Gogu, në një deklaratë për mediat përpara nisjes së seancës dha edhe shifra, sesa persona përfitojnë nga amnistia penale.
Ai tha se 446 persona dalin menjëherë nga burgjet, pas miratimit të amnistisë. Shtoi se 869 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Gogu dhe njëherë nënvizoi se nuk amnistohen persona që janë hetuar apo hetohen nga SPAK…Lexo më shumë
Agjentë serbë në protesë? Berisha: Bashkëpunim Tiranë-Beograd kundër protestuesve
Kreu i PD-së Sali Berisha në një deklaratë për mediat sot në 18 qershor jashtë Kuvendit, u pyet për deklaratën e tij se në protesta mund të ketë pasur agjentë serbë.
Berisha deklaroi se ka bashkëpunim mes Tiranës dhe Beogradit kundër protestuesve.
“Qytetari digjital më ka thënë se ka agjentë serbë në protestë. Kjo sepse ka një bashkëpunim mes Tiranës dhe Beogradit. Këto po marrin ekspertë serbë të protestave të zgjatura dhe është një akt antishqiptar. Serbët nuk janë prapa diellit. Janë të kontraktuar, i paguan Vlora dhe këto. Vlora Çitaku është agjente e kombinuar mes Ramës e Vuçiçit”, tha Berisha… Lexo më shumë
“Mos e prishni seancën”, opozita bllokon sërish foltoren. 15 minuta pushim
Ka rinisur Kuvendi pas pesë minutash pushim. Kryetari i parlamentit tha se fjalën e ka ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, që do të flasë për konkluzionet përfundimtare në Konferencën e Tetë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Ndërsa, opozita ka bllokuar Foltoren.
Niko Peleshi: Ju lutem mos prishni seancën. Jemi në pikën, që duhet të jemi të interesuar të gjithë për konkluzionet e Konferencës së Tetë Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Ju lutem lironi foltoren për ministrin e Jashtëm.
(Deputetët e opozitës bërtasin, pasi janë ngritur nga vendi)
Niko Peleshi: Ju lutem mos e prishni seancën.
Deputetët e opozitës: Kush je ti?
Niko Peleshi: Kush jeni ju që prishni seancën?
Në fund, Peleshi kërkoi 15 minuta pushim, me qëllim qetësimin e situatës.












Botërori 2026 
