Seriali i famshëm “La Casa De Papel” këtë herë do të vijë në një tjetër version. Netflix do të krijojë një version korean të serialit thriller/aksion. Prodhimi do të jetë një bashkëpunim midis BH Entertainment dhe Contents Zium.

Përshtatja koreane do të jetë me regji të Kim Hong-sun, i cili ka qenë regjisor edhe i shumë  dramave televizive si “Visitor”, “Voice” dhe “Black”.  Seriali i ri do të ketë gjithsej 12 episode. Ende nuk dihet se kur do të nisin xhirimet dhe se kur do të jetë data e publikimit.

“Krijuesit koreanë kanë zhvilluar gjuhën e tyre dhe kulturën audiovizive për vite me radhë. Ata kanë shkuar përtej kufijve kulturorë dhe të bëhen një pikë referimi për mijëra shikues në të gjithë botën, veçanërisht midis të rinjve”, është shprehur Alex Pina, krijues dhe producent ekzekutiv i “La Casa de Papel”.

“La Casa de Papel” është bërë ndër serialet më të tërheqëse, që ndiqet nga miliona njerëz nga e gjithë bota. Shfaqja origjinale në gjuhën spanjolle filloi që të transmetohej në vitin 2017.  Sezoni i katërt sipas Netflix u pa nga  më shumë se 65 milionë familje, ndërsa sezoni i pestë është duke u xhiruar.

Kompania “Netflix”, ka bërë të ditur se sezoni i pestë i “La Casa De Papel” pritet të vijë në ekran në verën e vitit 2021, por e gjithë kjo varet nga rrethanat e krijuara nga pandemia.

Klan Plus