Spanja vijon marshimin në Ligën e Kombeve, duke mposhtur Kroacinë 2-1 dhe duke regjistruar fitoren e katërt radhazi.

Kroatët kaluan të parët në avantazh në minutën e 17-të me Ivan Perisic, por pas pushimit, La Roja reagoi dhe gjeti barazimin në minutën e 61-të, falë Mikel Merino, i aktivizuar nga stoli.

Në minutën e 79-të, Kroacia mbeti me dhjetë lojtarë, pasi Perisic mori kartonin e dytë të verdhë, vendim i konfirmuar edhe pas ndërhyrjes së VAR-it.

Spanja shfrytëzoi menjëherë superioritetin numerik dhe vetëm tetë minuta më vonë, sërish Merino dërgoi topin në rrjetë, duke përmbysur rezultatin dhe vulosur fitoren 2-1.

Me këtë sukses, skuadra e Luis de la Fuentes ngjitet në kuotën e 12 pikëve dhe konsolidon kreun e grupit, ndërsa Kroacia mbetet në vendin e tretë me 3 pikë.

Ndërkohë, në Wembley, Anglia regjistroi një fitore të pastër 3-0 ndaj Republikës Çeke. “Tre Luanët” kaluan në avantazh në minutën e 27-të, pas një autogoli të Vladimir Coufal.

Më pas, skena i takoi Harry Kane. Kapiteni anglez shënoi në minutën e 40-të, ndërsa në pjesën e dytë, realizoi sërish, duke kompletuar fitoren 3-0.

Pas këtij triumfi, Anglia e Thomas Tuchel ngjitet në vendin e dytë me 9 pikë, ndërsa Republika Çeke mbetet pa pikë.

/tvklan.al