Shqipëria fitoi 2-1 ndaj San Marinos, në ndeshjen e raundit të katërt në Ligën e Kombeve.

Mbrojtësi i djathtë i Kombëtares, Elseid Hysaj, ka theksuar se Shqipëria vuan nga mungesa e efikasitetit para portës, pasi nuk po i shfrytëzon rastet e shumta të krijuara.

Në një prononcim për TV Klan, ai pranoi se ndaj San Marinos pati lodhje dhe neglizhencë në skuadër, çka e mbajti ndeshjen të hapur deri në fund.

Hysaj u shpreh se fitorja erdhi edhe falë fatit me fitimin e penalltisë, duke bërë thirrje për më shumë përqendrim. Sipas tij, gabime të tilla penalizojnë të gjithë grupin dhe ekipi duhet të jetë plotësisht i përgatitur për sfidat e nëntorit.

“Po besoj që vuan Shqipëria sepse nuk shënon mundësitë e golave që ka. Pjesa e parë duhet të shkonte 3-0, po e le 1 me 0. Duhet të mendojmë më mirë kur jemi para që të shënojmë gola. Disa lojtarë mund ta kenë ndjerë lodhjen, por disa lojtarë të San Marinos nuk po na linin mundësi për të marrë topin. Por, ka pasur lodhje në skuadër.

Nuk mund ta quaj një ndeshje të dobët, por kemi pasur raste. Unë e ndjeja veten të sigurt që do ta fitonim, por kur pashë 1-0 rezultatin ishte pak problem. Duhet të themi faleminderit për fatin që patëm dhe që morëm penalltinë.

Një gjë që unë e kam problem, është që nuk duhet të gabojmë me këto ndeshje, sepse këto penalizojnë të gjithë grupin, duhet të jemi të përgatitur për nëntorin. Ishte neglizhimi më shumë, që nuk presuam shpejt dhe nuk shënuam gol”, u shpreh mbrojtësi i kombëtares.

/tvklan.al