“Një sasi lëndë plasëse u vendos rreth mesnatës në një prej apartamenteve të këtij pallati në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë”.

Sasia e vogël e tritolit u vendos në katin e 9, në ballkonin e apartamentit, rreth orës 23:45 të së shtunës. Ishin banorët e pallatit të cilët lajmëruan policinë për shpërthimin e fuqishëm. Blutë fillimisht dyshuan për shpërthim të shkaktuar nga bombol gazi, por pas verifikimeve rezultoi që ishte lëndë plasëse.

Shërbimet e policisë kanë hapur me forcë derën pasi nuk kishte njeri në banesë. Grupi hetimor ka konstatuar më pas dëmtimin e xhamit dhe vetratës së ballkonit.

Për vendosjen e lëndës plasëse policia ka ngritur disa dyshime. Nuk përjashtohet mundësia që të jetë vendosur nëpërmjet një droni, nga tarraca e pallatit apo dhe nga banesat ngjitur me apartamentin që ishte shënjestër e vendosjes së lëndës plasëse.

Banesa rezulton në emër të Albert Thoma, i cili e kishte lëshuar me qira tek Elena Arza. Kjo e fundit nuk është marrë në pyetje ende nga hetuesit për ndonjë person të mundshëm. Policia e Tiranës është duke verifikuar ndonjë konflikt që ka patur gruaja e cila kishte marrë me qira shtëpinë, apo dhe pronari i saj. Një tjetër dyshim është dhe ndonjë inskenim i mundshëm i kësaj ngjarje.

Klan News