Një mbrëmje plot emocione dhe gola në Ligën e Kombeve, ku nuk munguan surprizat dhe përmbysjet. Italia pësoi një humbje të rëndë 4-1 ndaj Belgjikës, duke i dhënë fund aventurës së saj në këtë kompeticion.

Axurret e nisën mirë takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e 11-të me Pio Esposito.

Por festa italiane zgjati vetëm tre minuta, pasi De Cuyper riktheu baraspeshën. Më pas, Belgjika mori plotësisht kontrollin e ndeshjes.

Ngoy përmbysi rezultatin në minutën e 22-të, ndërsa Doku shënoi golin e tretë vetëm katër minuta më vonë. Goditjen përfundimtare e dha Moreira duke vulosur fitoren 4-1. Belgjika siguroi vendin e dytë me 12 pikë, ndërsa Italia u eliminua me 10 pikë.

Në fazën tjetër kalon edhe Franca, që mposhti Turqinë 2-1. Një autogol i Topçu në minutën e 49-të i dha avantazhin francezëve, ndërsa Kroupi dyfishoi shifrat në të 80-ën.

Turqit arritën të shënonin me Bardakçi në minutën e 90-të, por pa ndryshuar fatin e takimit. Franca e mbylli grupin në vendin e parë me 13 pikë, ndërsa Turqia u eliminua.

Në Madrid, Anglia i dhuroi vetes një fitore spektakolare 3-2 ndaj Spanjës.

Harry Kane zhbllokoi sfidën në minutën e 45-të nga penalltia, ndërsa Konsa në të 53-ën dhe White pesë minuta më vonë e çuan Anglinë në një avantazh të trefishtë. Por ndeshja mori një tjetër drejtim pas kartonit të kuq të Elliot Anderson.

Spanja shfrytëzoi epërsinë numerike, duke ngushtuar diferencën me Oyarzabal dhe më pas me Nico Williams.

Megjithatë, reagimi i iberikëve nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Anglia e mbylli grupin në vendin e parë me 15 pikë, po aq sa Spanja, e renditur e dyta.

Klan News

/tvklan.al