Lionel Messi ka hequr dorë momentalisht nga futbolli, pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Jorge Messi.

Humbja e ka prekur thellë yllin argjentinas, i cili ka vendosur të largohet nga aktivitetet me Inter Miami për t’iu kushtuar familjes dhe periudhës së zisë.

68-vjeçari ishte një prej njerëzve më të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e Lionel Messit.

Përveçse babai i tij, ai ishte edhe këshilltari dhe përfaqësuesi i parë i futbollistit, duke e shoqëruar në hapat e parë të karrierës, që nga koha te Newell’s Old Boys e deri te transferimi në Spanjë dhe shpërthimi i tij në skenën ndërkombëtare.

Gjendja shëndetësore e Jorge Messit kishte shkaktuar shqetësim prej kohësh në familje.

Edhe gjatë Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara, Lionel Messi vijoi të përmbushte detyrimet e tij me Kombëtaren e Argjentinës, ndërsa njëkohësisht ishte i shqetësuar për gjendjen e të atit.

Pas lajmit të trishtë, Messi është kthyer në Argjentinë për të qëndruar pranë familjarëve dhe njerëzve të tij më të afërt.

Në këto momente të vështira, mbështetja pritet të vijë edhe nga miq dhe ish-shokë të tij të Kombëtares, mes tyre Leandro Paredes, Nicolás Otamendi dhe Ángel Di María.

E ardhmja e Messit me Inter Miami, por edhe në botën e futbollit për momentin mbetet e paqartë.

39-vjeçari nuk ka përcaktuar një datë për rikthimin në klub dhe sipas raportimeve të mediave argjentinase, dëshiron të marrë gjithë kohën që i nevojitet për të përballuar humbjen e të atit.

Megjithatë, largimi i përkohshëm nga futbolli nuk nënkupton se Messi ka njoftuar tërheqjen nga sporti. Për momentin, prioriteti i tij është familja dhe përballimi i dhimbjes pas humbjes së njeriut që e ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit të tij.

Jorge Messi ishte pranë të birit që në ditët e para të karrierës dhe e mbështeti gjatë gjithë rrugëtimit që e çoi Lionel Messin nga Rosario drejt Barcelonës, Kombëtares së Argjentinës dhe majës së futbollit botëror.

Tani, për herë të parë pas shumë vitesh, futbolli ka kaluar në plan të dytë për një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë.

Klan News




/tvklan.al