Berat Gjimshiti ka mbyllur një prej kapitujve më të rëndësishëm të karrierës së tij.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka zyrtarizuar largimin nga Atalanta, pas më shumë se një dekade të lidhur me klubin italian, për të nisur një aventurë të re në Arabinë Saudite me Al-Diriyah.

Transferimi i Gjimshitit te klubi saudit është i përhershëm dhe raportohet se ka kushtuar rreth 3 milionë euro, ndërsa futbollisti shqiptar do të përfitojë rreth 3 milionë euro në sezon nga kontrata dyvjeçare.

Gjatë aventurës së tij me Atalantën, shqiptari u shndërrua në një prej figurave më të rëndësishme të skuadrës.

Ai regjistroi 334 paraqitje, duke u renditur ndër lojtarët me më shumë ndeshje në historinë e klubit.

Një prej momenteve më të paharrueshme të kësaj periudhe ishte triumfi në Europa League, dy vite më parë, një sukses historik për Atalantën.

Pas viteve të suksesshme në Itali, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare tashmë është gati për sfidën e radhës në Arabinë Saudite, duke lënë pas një periudhë që do të mbetet ndër më të rëndësishmet në karrierën e tij.

Në Arabinë Saudite firmosi në formulën e huazimit edhe futbollisti tjetër, Nedim Bajrami për ekipin e Al-Taawoun.

Klan News

/tvklan.al