Houthët kërcënojnë Riadin, shpallin qendrën financiare objektiv ushtarak

Lëvizja Houthi në Jemen ka shpallur qendrën financiare të kryeqytetit saudit, Riad, objektiv ushtarak, duke paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë larg saj.
Zëdhënësi ushtarak i Houthëve, Yahya Saree, deklaroi përmes një postimi në rrjetin social X se qendra financiare në kryeqytetin e Arabisë Saudite është tashmë në shënjestër të forcave të tyre.
Ai u bëri thirrje punonjësve, personelit dhe banorëve të zonës që të largohen menjëherë.
Sanksionet ndaj kolonëve izraelitë, Parlamenti Arab përshëndet Londrën dhe Australinë
Parlamenti Arab ka përshëndetur sanksionet e vendosura nga Britania e Madhe dhe Australia ndaj kompanive, organizatave dhe individëve izraelitë të përfshirë në aktivitetet e paligjshme të vendbanimeve në territoret e pushtuara palestineze.
Në një deklaratë, institucioni i Ligës Arabe i cilësoi këto masa si një hap të rëndësishëm drejt mbajtjes përgjegjës të personave që mbështesin dhe zgjerojnë projektin e vendbanimeve izraelite. Ai u bëri thirrje qeverive të tjera të ndjekin të njëjtën rrugë, duke vendosur sanksione ndaj atyre që ndërtojnë, financojnë dhe zgjerojnë vendbanimet, si dhe masa ndëshkuese ndaj kolonëve të përfshirë në sulmet kundër palestinezëve.
Sipas Parlamentit Arab, kundërshtimi i zgjerimit të vendbanimeve nuk mund të kufizohet më vetëm në deklarata dënuese, por kërkon veprime konkrete. Institucioni kërkoi gjithashtu përfundimin e pushtimit izraelit dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez me kryeqytet Jerusalemin, duke theksuar se vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.
Gaza nën ‘zjarr’, rritet bilanci i viktimave nga sulmet izraelite
Sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vijuar të shkaktojnë viktima dhe të plagosur, ndërsa bilanci i përgjakshëm po rritet ndjeshëm.
Një palestinez u vra pasi u godit nga një raketë zbulimi në zonën e Kampit të Ri, në kampin e refugjatëve Nuseirat, në Gazën qendrore. Gjatë ditës së djeshme, pesë persona të tjerë u vranë nga zjarri izraelit në zona të ndryshme, ndërsa bombardimet goditën edhe një tendë në lagjen Yarmouk të qytetit të Gazës, ku humbën jetën dy persona dhe disa të tjerë u plagosën.
Një tjetër palestinez u vra nga sulmi ndaj stacionit Bahloul në Zeitoun, ku strehoheshin persona të zhvendosur, ndërsa një viktimë u raportua edhe nga një sulm me dron në juglindje të qytetit të Gazës, në rrugën Salah al-Din.
Përshkallëzimi i sulmeve, që përfshijnë të shtëna, bombardime artilerie dhe goditje ajrore, po rëndon më tej situatën humanitare, ndërsa mbi dy milionë palestinezë jetojnë në kushte të vështira, të përqendruar kryesisht në zona të ngushta në perëndim të qytetit të Gazës, ku mungojnë burimet bazë dhe infrastruktura është në gjendje të rënduar.
Qyteti i kthyer në ferr nga Houthët, nënat gënjejnë fëmijët për të fshehur tmerrin e luftës
Në qytetin jemenas të Taizit, të rrethuar nga luftëtarët Houthi, jeta është kthyer në një betejë të përditshme për mbijetesë. Ashuaq, një nënë e tre fëmijëve, përpiqet të mbrojë të birin 11-vjeçar nga tmerri i luftës, duke i thënë se shpërthimet që dëgjon janë thjesht fishekzjarrë.
Por ajo e di se djali është mjaftueshëm i rritur për të kuptuar se çfarë po ndodh rreth tij, pasi pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar mes luftimeve. “Ndonjëherë më duket sikur qyteti është kthyer në një burg gjigant”, rrëfen ajo. Lexo më shumë
Lufta me Iranin i kushton 48 miliardë dollarë SHBA-ve, republikanët mbrojnë Trump
Lufta me Iranin i ka kushtuar deri më tani Shteteve të Bashkuara rreth 48 miliardë dollarë, por republikanët në Senat kanë refuzuar një nismë për të kufizuar kompetencat ushtarake të presidentit Donald Trump.
Propozimi synonte të kufizonte fuqinë e presidentit për të vijuar operacionet ushtarake pa autorizimin e Kongresit. Vendimi vjen në një moment kur konflikti po shkakton pasoja të konsiderueshme ekonomike dhe gjeopolitike.
Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëron se lufta do të lërë gjurmë afatgjata në sektorin energjetik global. Sipas drejtuesit të saj, Fatih Birol, sa më shumë të zgjasë kriza, aq më të thella do të jenë pasojat.
Luftimet në Jemen, 10 viktima nga sulmet në Sana
Të paktën 10 persona kanë humbur jetën gjatë dy ditëve të fundit nga sulmet në kryeqytetin e Jemenit, Sana, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga rebelët Houthi.
Përplasjet vijojnë mes grupit rebel të mbështetur nga Irani dhe qeverisë jemenase të njohur ndërkombëtarisht. Kjo e fundit mbështetet nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili ka intensifikuar operacionet ushtarake.
Ndërkohë, rebelët Houthi kanë vijuar sulmet me raketa ndaj territorit saudit. Përshkallëzimi i luftimeve po shton shqetësimet për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Houthët sulmojnë sërish Arabinë Saudite, interceptohen raketat
Forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë interceptuar disa raketa të lëshuara nga rebelët Houthi, në natën e dytë radhazi të sulmeve ndaj vendit.
Sulmet vijnë një ditë pasi një rrokaqiell në zonën financiare të kryeqytetit, Riad, u dëmtua. Përshkallëzimi i situatës vjen në kuadër të përplasjes mes rebelëve të mbështetur nga Irani dhe forcave të qeverisë jemenase.
Ndërkohë, koalicioni i udhëhequr nga Riadi vijon operacionet kundër grupit rebel. Tensionet po rrisin rrezikun e zgjerimit të konfliktit në rajonin e Gjirit.
Lufta në Lindjen e Mesme| Houthët përshkallëzojnë sulmet ndaj Arabisë Saudite













Botërori 2026 