Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Rusia ka humbur kontrollin mbi industrinë e saj të naftës për shkak të luftës me Ukrainën.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump numëroi dëmet e mëdha në rafineritë ruse dhe bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të konfliktit.  

“Rusia fatkeqësisht ka humbur kontrollin e industrisë së saj të naftës për shkak të luftës me Ukrainën. Një numër i madh i rafinerive të tyre janë hedhur në erë dhe janë, të paktën përkohësisht, jashtë funksionit. Kjo luftë qesharake dhe e pafundme me Ukrainën duhet të përfundojë”, tha Trump.

Ndërkohë në terren, sulmet masive me dronë rusë mbi rajonin e Kievit shkaktuan katër viktima, mes të cilëve tre fëmijë.

Dëmet më të mëdha u shënuan në rajonin Fastiv, ku u goditën mbi 24 objekte banimi dhe industriale.

Sulme me pasoja fatale u raportuan edhe në Sumy si dhe në Kramatorsk të rajonit të Donetskut.

Nga ana tjetër, Moldavia dënoi ashpër shkeljen e hapësirës së saj ajrore nga një dron rus gjatë natës në veri të kryeqytetit Kishinau.

Moska është shënjestruar për të disatën herë nga dronët ukrainas, ku së fundmi një sulm i fuqishëm në kryeqytetin rus shkaktoi 3 viktima dhe dëmtoi një pjesë të një rafinerie nafte.

Ukraina dhe Rusia kanë vijuar me sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës pavarësisht thirrjeve të presidentit amerikan për të ndaluar.

Klan News

/tvklan.al