21 shtator 2026- Organizatat kryesore amerikane të medias kanë ndërmarrë hapa ligjorë kundër qeverisë së SHBA-së, pasi Shtëpia e Bardhë u kufizoi papritur aksesin gazetarëve të tyre në kompleksin presidencial.
CNN, MS NOW dhe Politico deklaruan së bashku se Shtëpia e Bardhë u kishte hequr akreditimet korrespondentëve të tyre pa njoftim paraprak dhe pa ndjekur një proces të përcaktuar.
Sipas mediave, vendimi erdhi pas raportimeve që nuk ishin në përputhje me qëndrimin e administratës.
Në deklaratën e përbashkët, tre organizatat thanë se masa përbën një kërcënim për lirinë e shtypit dhe për të drejtën e publikut për të pasur akses në raportim të pavarur, pa ndërhyrje nga qeveria.
Mediat kanë njoftuar administratën amerikane për sfidën ligjore, duke argumentuar se synojnë të mbrojnë të drejtat e tyre të garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së, i cili mbron lirinë e shtypit.
Ata kundërshtojnë gjithashtu parimin që autoritetet federale të kenë rol në përcaktimin e përmbajtjes që publikojnë organizatat mediatike.
Përplasja u përshkallëzua javën e kaluar, kur Presidenti Donald Trump ndaloi gazetarët e CNN, MS NOW dhe Politico të hynin në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë.
Të shtunën në mëngjes, personeli i sigurisë pengoi hyrjen e gazetarëve të këtyre tre organizatave, në zbatim të udhëzimit të dhënë.
Trump e ka mbrojtur vendimin, duke shprehur pakënaqësinë ndaj raportimeve të mediave. Ai tha se ishte “lodhur duke lexuar dhe parë lajme të rreme” dhe se nuk i pëlqen “shtypi i pandershëm”.
/tvklan.al












Botërori 2026 
