
Ushtria izraelite dështoi në përpjekjen për të larguar kolonët izraelitë nga Bregu Perëndimor i pushtuar, të cilët prej disa ditësh kanë bllokuar banesat palestineze, raportuan një dëshmitar dhe një fotograf i AFP-së.
Bllokada nisi të dielën, 9 gusht, kur një grup kolonësh ngritën një çadër pranë disa shtëpive në fshatin palestinez Qusra, në jug të Nablusit. Kolonët kanë penguar hyrjen e furnizimeve dhe të nevojave bazë për banorët.
Teherani: Nuk ka diskutime me SHBA-të për zgjatjen e armëpushimit
Një zyrtar iranian tha për Reuters se Irani nuk po zhvillon diskutime me Shtetet e Bashkuara ta Amerikës për zgjatje të armëpushimit nga periudha 60-ditore e përcaktuar në memorandumin e mirëkuptimit.
“Nga pikëpamja e Iranit, nuk ka një datë fillimi për armëpushimin, kështu që nuk ka asgjë për të zgjatur. Shtetet e Bashkuara e kanë shkelur marrëveshjen dhe janë tërhequr. Një nga çështjet që po diskutohen është kthimi i Shteteve të Bashkuara në memorandumin e mirëkuptimit dhe përcaktimi i afateve kohore për zbatimin e angazhimeve, një fushë në të cilën nuk është bërë asnjë përparim”, shtoi ai.
Përshkallëzohet tensioni në Jemen, Huthitë njoftojnë për sulme të reja në portin al-Makha

Rebelët Huthi kanë nisur sulme të reja me raketa balistike kundër portit strategjik të al-Makha, i njohur edhe si Mocha, në jugperëndim të Jemenit. Porti ndodhet pranë ngushticës së rëndësishme të Bab el-Mandeb dhe aktualisht kontrollohet nga forcat qeveritare jemenase. Lajmi për sulmet është bërë i ditur nga mediat e lidhura me lëvizjen Huthi, e cila mbështetet nga Irani.
Ushtria izraelite: Hamasi torturon dhe merr në pyetje civilë në Gaza, përfshirë të mitur
Sipas ushtrisë izraelite (IDF) dhe Shin Bet, Hamasi ka intensifikuar marrjen në pyetje dhe torturimin e civilëve në Gaza, përfshirë gra dhe të mitur.
Sipas deklaratës, pretendohet se përdoren mënyra si dhuna fizike, kërcënimet, shantazhi dhe izolimi i zgjatur. IDF gjithashtu akuzon Hamasin se përdor objekte publike, si shkolla dhe spitale, për këto veprime.
Sulmohet një shkollë në jug të Libanit
Forcat izraelite kanë goditur një ndërtesë shkolle në fshatin Zautar al-Sharqiyah, në jug të Libanit, raportoi agjencia libaneze NNA.
Sipas një burimi të ushtrisë libaneze, janë shkatërruar gjithashtu bashkia, një klinikë, një kopsht fëmijësh dhe disa banesa.
Këshilli i fshatit i ka bërë thirrje presidentit Joseph Aoun dhe kryeministrit Naëaf Salam të ndërhyjnë për të ndaluar shkatërrimet në zonë.
Izraeli sulmon turmën me besimtarë, plagos 3 persona në Liban
Disa persona mbetën të plagosur në Tiro, në jug të Libanit, pasi një dron izraelit goditi një turmë me besimtarë.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia zyrtare libaneze e lajmeve, National News Agency.
Ende nuk janë raportuar detaje të plota për numrin e të plagosurve apo gjendjen e tyre.
Ministri i Brendshëm i Pakistanit viziton Teheranin
Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Mohsin Naqvi, ndodhet për vizitë në Teheran.
Gjatë qëndrimit, ai pritet të zhvillojë bisedime me zyrtarë të lartë iranianë për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet e sigurisë.
Në fokus do të jenë edhe zhvillimet rajonale dhe përpjekjet për paqe e stabilitet. Vizita synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Izraeli sulmon jugun e Libanit me armë me fosfor të bardhë
Artileria izraelite ka goditur mëngjesin e sotëm me municione me fosfor të bardhë lartësitë e Ali Taherit, në distriktin Nabatiye të Libanit jugor.
Sipas agjencisë libaneze NNA, bombardimet pasuan sulme të tjera gjatë natës në disa zona të jugut të vendit. Raportohet gjithashtu për të shtëna me mitralozë dhe goditje ajrore në zona të ndryshme.
Në Haddatha janë kryer edhe shembje të reja, ndërsa shpërthimet janë dëgjuar deri në Tyre dhe Nabatiye.
Katër dronë iranianë rrëzohen në Erbil
Katër dronë iranianë janë rrëzuar në provincën irakiane të Erbilit, raporton platforma kurde Rudau.
Sipas raportimeve, Irani kishte lëshuar disa raketa dhe dronë drejt zonave kurde në provincë.
Katër dronët u rrëzuan në orët e para të mëngjesit në distriktet Soran, Khalifan dhe Harir. Nuk janë bërë të ditura menjëherë detaje për viktima apo dëme.
Trump insiston: Hormuzi është nën kontrollin tonë
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk i beson Iranit dhe se Shtetet e Bashkuara kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit.
Trump tha se Teherani nuk do të bëhet “ngacmuesi i Lindjes së Mesme”.
Deklaratat u bënë para gazetarëve, në një kohë tensionesh të larta mes SHBA-ve dhe Iranit.












Botërori 2026 
