Dhjetëra civilë iranianë kanë kaluar kufirin drejt Irakut jugor në kërkim të ushqimeve më të lira dhe aksesit në internet, vetëm pak orë pasi një sulm ajror ndërpreu aktivitetin tregtar në zonën kufitare.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe, sipas autoriteteve lokale, nuk është hera e parë që ndodhin incidente të tilla që nga fillimi i konfliktit.

Haider Abdul Samad, zëvendësdrejtori i pikës kufitare të Shalamchas, deklaroi se sulmi shkaktoi ndërprerje të përkohshme të tregtisë dhe shërbimeve, por nuk dha detaje mbi viktimat apo objektivat e goditura. Ai shtoi se energjia elektrike u rikthye dhe aktiviteti tregtar rifilloi rreth mesditës, e megjithatë ndërprerjet janë bërë tashmë pjesë e përditshmërisë në këtë rajon të përfshirë nga tensionet.

Pavarësisht rrezikut dhe pasigurisë, disa qytetarë iranianë vazhdojnë të kalojnë kufirin për të siguruar produkte bazë me çmime më të ulëta, për të përdorur internetin ose për të bërë vizita të shkurtra tek familjarët e tyre. Shumica prej tyre kthehen brenda ditës në qytetet pranë kufirit si Abadan dhe Ahvaz.

Megjithëse lëvizjet ndërkufitare kanë rënë ndjeshëm krahasuar me periudhat e mëparshme, situata mbetet e vështirë për banorët, të cilët përballen me frikë të vazhdueshme nga sulmet ajrore. Disa prej tyre i përshkruajnë bombardimet si të pandërprera dhe të frikshme, duke theksuar se jetojnë çdo ditë me pasiguri për jetën dhe pronën e tyre.

“Nuk ka asnjë siguri. Nuk e dimë kur shtëpitë tona mund të bëhen objektiv”, u shpreh një 71-vjeçar, i cili kishte hyrë në Irak përkohësisht. Ai shtoi se frika është bërë pjesë e jetës së përditshme, por pavarësisht kësaj, shumë prej tyre nuk kanë ndërmend të largohen nga vendi i tyre.

Situata në kufirin Iran-Irak vazhdon të mbetet e tensionuar, ndërsa banorët përpiqen të mbijetojnë mes mungesave ekonomike dhe rrezikut të vazhdueshëm nga përshkallëzimi i konfliktit.

/tvklan.al