18 nëntor 2026 – Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Kuvend Projektbuxhetin 2027 dhe Paketën Fiskale që e shoqëron atë, duke e cilësuar si një buxhet historik, me mbi 10 miliardë euro shpenzime publike të parashikuara.
Gjatë fjalës së tij, Malaj deklaroi se buxheti i vitit të ardhshëm mbështetet në tri shtylla kryesore: mirëqenien sociale dhe mbrojtjen e qytetarëve, stabilitetin fiskal dhe financat e qëndrueshme, si dhe investimet, reformat dhe integrimin europian.
Sipas ministrit, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me rreth 4%, ndërsa papunësia në tremujorin e dytë të vitit 2026 zbriti në 8.3%, niveli më i ulët historik. Paga mesatare arriti në 967 euro, me një rritje prej 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Malaj bëri të ditur gjithashtu se investimet e huaja direkte u rritën me 50.8% në gjysmën e parë të vitit 2026, duke arritur në 1.1 miliardë euro. Ndërkohë, borxhi publik parashikohet të zbresë në 52.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2027, ndërsa të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë në rreth 9.4 miliardë euro.
Më shumë fonde për pensionistët dhe familjet
Një nga prioritetet kryesore të buxhetit të ri është mbrojtja sociale, për të cilën janë parashikuar 279.7 miliardë lekë, ose rreth 2.8 miliardë euro.
Sa i përket pensioneve, ministri njoftoi se në prill 2027 do të bëhet indeksimi i tyre, ndërsa nga 1 janari do të nisë dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, sipas kategorive përkatëse. Kostoja vjetore e kësaj mase parashikohet të jetë 20 miliardë lekë.
Ndryshime parashikohen edhe për Bonusin e Bebes, i cili do të zëvendësohet me një skemë mbështetjeje mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeç, me përfitime që do të rriten në varësi të numrit të fëmijëve në familje.
Gjithashtu, do të vijojë dyfishimi i pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërsa 5,600 studentë nga familjet në nevojë do të përfitojnë rritje të mbështetjes mujore nga 10 mijë në 25 mijë lekë.
Më shumë investime në arsim dhe shëndetësi
Projektbuxheti 2027 parashikon 93.7 miliardë lekë për arsimin dhe 87.2 miliardë lekë për shëndetësinë.
Në arsim, fondet do të përdoren për transportin falas të nxënësve dhe mësuesve, tekstet shkollore falas për rreth 217 mijë nxënës, zgjerimin e programit “Pas Shkollës” deri në orën 17:00, si dhe ndërtimin dhe rehabilitimin e 100 shkollave.
Në shëndetësi, financimi do të mbështesë rimbursimin e barnave për rreth 400 mijë pacientë në vit, rimbursimin e fishave të diabetit për 67 mijë përfitues dhe ndërtimin apo rehabilitimin e më shumë se 20 spitaleve në vend.
Rritje pagash për policinë dhe më shumë mbështetje për fermerët
Për sigurinë dhe rendin publik janë parashikuar 36.7 miliardë lekë. Një nga masat kryesore është rritja e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Rreth 8,500 punonjës me gradën inspektor do të përfitojnë rritje të pagës bazë me 20 mijë lekë, ndërsa kategoritë e tjera do të kenë shtesa nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë, në varësi të gradës.
Ndërkohë, buxheti për bujqësinë do të arrijë në 17.9 miliardë lekë, me 1.1 miliardë lekë financim shtesë krahasuar me vitin 2026. Parashikohet mbështetje për rreth 43,660 fermerë, vijimi i kompensimit të TVSH-së me 10% dhe shtimi i fondeve për skemat e mbështetjes direkte.
Për infrastrukturën dhe energjinë janë parashikuar 75.4 miliardë lekë, me financime për projekte rrugore, ujësjellës-kanalizime dhe hekurudhat, përfshirë linjat Tiranë-Durrës/Rinas dhe Vorë-Hani i Hotit.
Paketa Fiskale 2027, ndryshime në taksa dhe TVSH
Gjatë prezantimit, Malaj u ndal edhe te Paketa Fiskale 2027, e cila përbëhet nga pesë projektligje dhe synon, sipas tij, rishpërndarjen më të drejtë të të ardhurave, barazinë fiskale dhe përmirësimin e efikasitetit të sistemit tatimor.
Ndryshimet kryesore të propozuara përfshijnë:
- Rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%.
- Rishikimin e tatimit progresiv mbi të ardhurat nga punësimi, me lehtësim për shtresën e mesme dhe tatim më të lartë për të ardhurat më të mëdha.
- Aplikimin e normës së reduktuar të TVSH-së prej 6% për 54 produkte të shportës bazë.
- Rritjen e TVSH-së standarde nga 20% në 21%.
- Uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë.
- Zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksa vjetore e automjeteve.
- Vijimin e rritjes së akcizës për produktet e duhanit, në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.
Sipas ministrit, ndryshimet e propozuara synojnë të kenë efekt neutral në të ardhurat e përgjithshme, pasi parimi kryesor është rishpërndarja e tyre dhe mbrojtja e shtresave në nevojë dhe e klasës së mesme.
Në përfundim të fjalës së tij, Malaj u shpreh se synimi i qeverisë është të vijojë uljen e borxhit publik, të rrisë investimet dhe mbështetjen sociale, duke e orientuar vendin drejt integrimit europian.
Ai u bëri thirrje deputetëve të mbështesin në parim Projektbuxhetin dhe Paketën Fiskale 2027.
/tvklan.al












Botërori 2026 
