Një vit më parë luan finalen e madhe të kompeticionit, teksa tashmë debutojnë në edicionin me format të ri të Champions League. Manchester City zbret në fushë kundër Interit për të ruajtur trendin e fitoreve në turneun më magjik të futbollit Europian. Anglezët kanë kujtime të mira kundër zikaltërve, pasi suksesin e vetëm në Europë e kanë pikërisht ndaj tyre. Për këtë fakt, rruga drejt suksesit të dytë nis pikërisht përballë ekipit të Simone Inzaghit.
Ecuria prej 23 ndeshjesh pa humbje i jep shtysë të madhe anglezëve, me një bilanc prej 16 fitoresh dhe 7 barazime për të rritur besimin në radhët e ekipit të teknikut Pep Guardiola. Spanjolli është edhe ai që ka suksesin më të lartë në mesin e teknikëve aktual të kompeticionit. Guardiola ka fituar 64% të ndeshjeve, konkretisht 109 nga 171 ndeshje. Cityzens nuk kanë kujtime të mira kundër ekipeve të Serie A, me vetëm 5 fitore në 13 ndeshjet e fundit. Gjithsesi, 4 nga këto fitore kanë mbërritur në 5 ndeshjet e fundit, ku kanë regjistruar edhe një barazim.
Edhe Inter po përjeton një moment të mirë. Në sezonin aktual ka shënuar vetëm rezultate pozitive, me skuadrën e Simone Inzaghit që synojnë të zgjerojnë rekordin e këtij kompeticionit. 11 fitore, 6 barazime dhe 3 humbje në 20 ndeshjet e fundit në Champions League për ekipin zikaltër. Gjithashtu, italianët mund të bashkohen me gjigantët e futbollit Europian në rast fitoreje kundër Manchester City-t.
Inter do bëhej ekipi i katërt që fiton të paktën 5 ndeshje ndaj ekipeve angleze në transfertë, për tu rreshtuar krah emrave si Barcelona me 7 suksese dhe Real Madrid e Bayern me nga 5 fitore secili. Fitorja e fundit e Interit në tokën angleze ishte ajo e marsit 2022, minimalisht 1-0 kundër Liverpool. Interi do të duhet të përballet me sulmuesin në formë Erling Haaland, i cili ka shënuar nëntë herë në katër ndeshjet e fundit.
Klan News