Trajneri i Chelsea, Enzo Maresca, është i pakënaqur me kalendarin e rezervuar për skuadrën e tij në prag të finales së Ligës së Konferencës.
Rivalët e Real Betis do të përfitojnë nga një pushim shtesë prej 48 orësh në përgatitjet e tyre për mbrëmjen e 28 Majit.
Spanjollët e drejtuar nga Manuel Pellegrini, do të luajnë takimin e fundit në La Liga të premten.
Kurse blutë e Londrës do të ndeshen me Nottingham Forest pasditen e së dielës, ndërsa sfida ka një rëndësi të madhe, pasi do të përcaktojë se kush do të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampioneve.
Maresca beson se UEFA duhet të marrë në konsideratë aplikimin e një rregulli, në bazë të së cilit, të dy ekipet finaliste të luajnë në të njëjtën kohë paraprakisht, në vend që t’i japë një skuadre një avantazh të dukshëm.
“Unë nuk jam aspak i lumtur! Nuk mund të lejosh një ekip 48 orë më shumë kur luan në një finale! Unë nuk e di nëse kjo vjen nga La Liga, Premier Liga ose nga UEFA! Nëse ju pyes juve a është normale që të luash një finale kur një ekip ka 48 orë më shumë pushim se sa një tjetër, nuk është aspak normale, nuk është korrekte!”
Sipas tij, institucioni europian i futbollit duhet që të aplikojë rregulla më strikte për ndeshjet finale.
Tekniku i Chelsea ka një respekt të madh për trajnerin e Betisit, Pelegrini, me të cilin ka punuar për katër vite.
Italiani e pranon që në të kaluarën ka marrë këshilla nga kiliani sa i përket karrierës së tij.
Klan News