Avokati: Viktori ka qenë duke punuar në Mal të Zi

Me argumentin se mungonte urdhri i ndalimit në ngarkim të Viktor Markut në Mal të Zi, Gjykata e Tiranës ka shtyrë seancën në ngarkim të 34-vjeçarit, që sipas policisë është autor i dyshuar për vrasjen e Hekuran Billës.

Në seancën që u zhvillua me dyer të mbyllura, Marku ka mohuar të jetë autor i krimit, pasi ditën e vrasjes ka qenë në Mal të Zi. 34-vjeçari është vëllai i Prel Markut, që u vra nga Hekuran Billa në 2006 në Angli. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe avokati i tij mbrojtës, teksa shkon edhe më tej ku e cilëson ndalimin e klientit të tij të paligjshëm.

“Gjykata kërkon që të sillen aktet ligjore për arrestimin e një shtetasi shqiptar dhe jo të arrestohet shtetasi në mënyrë të padrejtë. Deri më sot nuk ka pasur urdhër arresti. Viktori thotë se nuk është autori i kësaj ngjarje. Ai thotë se ka qenë duke punuar në Mal të Zi.”

Ditën e martë, gjykata do të njohë me masën e sigurisë 34-vjeçarin Marku, ndërsa i kërkoi prokurorisë që të sjellë në seancë urdhrin e ndalimit. Një ditë më parë gjykata ka lënë në burg 22-vjeçarin Sebastian Mali, nipin e Viktor Markut.

Sipas hetuesve Mali është personi që ka vëzhguar lëvizjet e Billës mbrëmjen e 11 Qershorit dhe më pas ka njoftuar autorët për të kryer ekzekutimin.

I riu ka mohuar akuzat dhe ka treguar se ndodhej në zonë për bërë pazare dhe për të takuar të dashurën. Por sipas hetuesve referuar kamerave të sigurisë rezulton se 22-vjeçari i ka treguar rrugën makinës tip Benz nga e cila qëllohet me breshëri Billa.

Tv Klan