Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka dhënë një mesazh optimist për procesin e integrimit të Shqipërisë, duke deklaruar se viti 2027 mund të jetë viti i vendit tonë.

Në fjalën e saj në Konferencën Ndërkombëtare të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, ajo u ndal te perspektiva evropiane e rajonit, ecuria e negociatave dhe mundësitë që sjell afrimi me Unionin.

Kos vlerësoi progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke veçuar Malin e Zi dhe Shqipërinë si dy shtetet më të avancuara në procesin e integrimit. Ajo theksoi se zgjerimi nuk duhet parë vetëm si një proces politik, por edhe si një mundësi për zhvillim ekonomik, investime dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Duke folur për ecurinë e negociatave, Kos u shpreh se Bashkimi Evropian po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj dhe se Ballkani Perëndimor ndodhet në një moment të rëndësishëm për të përshpejtuar rrugën drejt anëtarësimit.

“Bashkimi Evropian po përgatitet që të presë anëtarë të rinj dhe dy vendet më të avancuara në proces janë nga Ballkani Perëndimor”, deklaroi ajo.

Komisionerja veçoi Malin e Zi, për të cilin tha se është pranë përfundimit të negociatave dhe mund të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit vitin e ardhshëm. Ndërsa nënvizoi se 2027-ta mund të jetë viti i Shqipërisë.

“Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë”, theksoi Kos.

Në vijim, ajo u ndal edhe te zhvillimet në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Për Shkupin, komisionerja vuri në dukje përmirësimin e nivelit të përgatitjes, ndërsa për Serbinë deklaroi se mund të bëjë kthesën e papritur tashmë me Lëvizjen Studenore, e cila mund të rrisë rezultatet në luftën ndaj korrupsionit.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së saj, Kos ia kushtoi investimeve dhe mundësive që integrimi evropian u krijon ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

“Integrimi rrit ekonominë e vendeve që janë anëtare të Bashkimit Evropian”, u shpreh Kos, duke nënvizuar se përfitimet mund të ndihen edhe përpara anëtarësimit, përmes Planit të Rritjes.

Komisionerja theksoi se rajoni duhet të përmirësojë lidhjet ekonomike me pjesën tjetër të Evropës dhe të shfrytëzojë potencialin e bizneseve inovative, veçanërisht në teknologji dhe shërbimet digjitale. Ajo përmendi posaçërisht startup-et që po zhvillojnë ide në fushën e inteligjencës artificiale dhe kujdesit shëndetësor, duke u shprehur se këto kompani kanë mundësi të rriten në tregjet evropiane.

“Më shumë se 1.5 milionë euro të garantuara nga BE-ja po ndihmon në tërheqjen e kapitalit privat në gjithë Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Kos, duke shtuar se mbështetja për sektorin privat do të ndihmojë bizneset, do të krijojë vende pune dhe do t’u japë qytetarëve më shumë arsye për të qëndruar në vendet e tyre.

Në përfundim, ajo përsëriti bindjen për perspektivën evropiane të rajonit. Marta Kos vlerësoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë në Bashkimin Europian.

“Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e BE-së”, ishte mesazhi i qartë i komisioneres Kos.

/tvklan.al