Pas masakrës së Solingenit në muajin gusht ku tre persona u goditën për vdekje me thikë, autoritetet gjermane kanë vendosur të forcojnë kontrollet kufitare.

Kontrollet e reja të cilat do të nisin në 16 shtator pritet të zgjasin 6 muaj.

Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, këmbënguli se qeveria do të mbante një qëndrim të ashpër kundër emigracionit të paligjshëm dhe tha se kontrollet do të reduktonin ekstremizmin islamik dhe krimin ndërkufitar.

Kontrollet e reja kufitare vijnë pas një debati të madh në shoqërinë gjermane kur mediat zbuluan se autori i masakrës në qytetin e Solingenit ishte një shtetas sirian, i cili kishte kërkuar azil në Gjermani. Përgjegjësinë për sulmin e mori i ashtuquajturi Shteti Islamik.

Pas masakrës kancelari Olaf Scholz u zotua për një qasje më të ashpër ndaj emigracionit të jashtëligjshëm dhe u zotua se do të merrte masa për ta frenuar atë. Qeveritë e  mëparshme në Berlin kanë lejuar një numër relativisht të madh azilkërkuesish të qëndrojnë në vend vitet e fundit.

Gjermania pranoi më shumë se një milion njerëz, kryesisht të arratisur nga lufta në vende të tilla si Siria gjatë krizës së emigrantëve 2015-2016 dhe ka pranuar 1.2 milionë ukrainas që nga fillimi i  luftës në Ukrainë në shkurt 2022.

Klan News