1 i vrarë dhe 4 të plagosur është bilanci tragjik i të shtënave me armë në një lokal në zonën e Don Boskos në kryeqytet këtë të martë.

Viktima është Erion Çela, 35 vjeç. Ndërsa të plagosur mbetën vëllai i tij, Blerim Çela, 28 vjeç, Arben Dani 46 vjeç, Edmond Crroj 41 vjeç dhe Azbi Selimaj, 19 vjeç. Ky i fundit, sipas Klan News, mësohet se punonte si kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja. Së bashku me 3 të plagosurit e tjerë ai ndodhet në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.

Shkaqet e kësaj masakre që vjen në ditët e para të vitit mbeten të panjohura. Zyrtarisht policia tha se autorët, identiteti i të cilëve nuk dihet, hapën zjarr nga jashtë lokalit, në kohën kur personat që ranë pre e plumbave ndodheshin të ulur në tavolinë.

Pas ngjarjes, autorët u larguan me makinë dhe aktualisht policia po punon për kapjen e tyre./tvklan.al